Emigrimi në Gjermani, shqiptarët i kthehen zanateve

Gjermania

Emigrimi në Gjermani, shqiptarët i kthehen zanateve

Më: 11 shkurt 2017 Në ora: 17:45
Ilustrim

Ai kish një sfidë me veten. Të gjente punë si hidraulik, zanat të cilin e mësoi në qendrat e formimit profesional dhe t’i shprehte prindërve mirënjohjen për mundin e tyre.

Por as dëshira, as përkushtimi, as këmbëngulja nuk mjaftuan.

Ebulen Mata është një 20-vjeçar. Me zanat dhe i papunë, por ai nuk u dorëzua. Ai nisi një kurs tjetër për panelet diellore.

Por, këtë herë, ai ka një ëndërr që nuk lidhet me Shqipërinë...

“Do të sakrifikoj shumë, për shkollën dhe do t`ia dal. Qëllimi im është një njeri që të më njohin të gjithë, që mund të bëj ëndrrën time dhe të gjej një punë që mund të ndihmoj familjen. Ëndrra ime më e madhe është që të iki në Gjermani, dëshira më e madhe e imja. Nuk mund ta ushtroj profesionin këtu se nuk ka pagesë, dhe të shkon mundi kot”, thotë Ebuleni.

Dëshira për t’i shkuar gjërave në fund edhe kur përballet me vështirësi, thotë se është një cilësi e karakterit të tij. Këtë e ka vënë re edhe mësuesja e kursit, e cila beson në prespektivën e Ebulenit si hidraulik.

“Ebuleni është një kursant i cili  kërkon nga vetja. Sigurisht që mund të jetë një person që mund të ecë shumë në jetë”, thotë mësuesja Pamela Balliu.

Ebuleni jeton në Fushë Krujë, por për të ndjekur kursin për panelet diellore i duhet të udhëtojë çdo ditë, në mëngjes herët, drejt Tiranës. Eshtë punëtor si i ati. Thotë se i ngjan në mendime dhe veprime. Por, e mundon një dilemë për të cilën e ka të vështirë të përgjigjet...

“Nuk do jetë e lehtë të largohem nga familja, se do më mungojnë. Nuk e kam menduar si do ia bëj, si do i lëj vetëm. Babai më ka dhënë kurajo shumë. i kam ngjarë babit, ai thotë do e bëj dhe unë do e bëj këtë punë patjetër”, thotë Mata.

Të njëjtën dilemë kanë edhe prindërit, por thonë se zemra e tyre  pranon çdo dhimbje që ka të bëjë me mungesën, vetëm që fëmija e tyre të bëhet dikush ne jete. 

“Unë gjithmonë Ebulenit i kam thënë të mësojë, jeta është e vështirë. Nuk dua të vuaj siç kam vuajtur vetë. Kam dëshirë që të bëhet i zoti i vetes”, thotë e ëma e tij.

“Me sa e njoh Ebulenin, do t’ia dalë, sepse mjafton të dëgjojmë zërin e mirë, dhe të vazhdojë jetën e vet, ku të jetë dëshira e vetë”, thotë i ati.

Kur kthen kokën pas, kujton një fëmijëri të gëzuar, ndërsa veten si një djalë çapkën, që zihej vazhdimisht me shokët e lagjes. 

“Kam qënë shumë mistrec, fëmijë si gjithë të tjerët. Sot i jam përkushtuar shkollës. Janë kujtime nga fëmijëria se përmbytjet nuk na kanë lënë asgjë”, rrëfen Ebuleni.

Por vitet e kanë ndryshuar. Ai ka temperament të qetë, por brenda kornizave të tij fle një dëshirë e çmendur, si e çdo 20 vjeçari si ai.

“Kujtimi im i parë është makina e kuqe,e preferoj shpejtësinë e makinës, e di që është shumë e tmerrshme po kam pas gjithmonë të bëhem ose motorist i mirë, ose pilot i një makine të shpejtë”, rrëfen Ebuleni.

Ebuleni është një i ri që do të jetë ndryshe nga një pjesë e mirë e bashkëmoshatarëve të tij të cilët ditën e kalojnë bareve apo lokaleve dhe mjaftohen me faktin që janë të papunë. 

Po ashtu duke mësuar zanatin, ai mendon që nesër të jetë një emigrant ndryshe në një vend perëndimor duke shkuar atje me një zanat që kërkohet shumë.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat