Luanit i zgjatet leja e qëndrimit edhe për një muaj falë shokëve të klasës, Lajpcigu përfshihet nga debatet

Gjermania

Luanit i zgjatet leja e qëndrimit edhe për një muaj falë shokëve të klasës, Lajpcigu përfshihet nga debatet

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 24 shkurt 2017 Në ora: 18:57
Luan Zejneli

Hëpërhë Luani mund të marrë frymë lirshëm. Nxënësi nga Kosova duhej të dëbohej, megjithatë shokët e tij nga shkolla nisin një peticion për të kundërshtuar vendimin. Dje, e enjte, erdhi vendimi: Luani dhe familja e tij do mund të qëndrojnë edhe për një muaj, shkruan media e Lajpcigut, “LVZ”.

Çështja e Luan Zejneli, 18 vjeç është mediatizuar në mbarë Gjermaninë. Pas vendimit për dëbim nga autoritetet gjermane, nxënësit e klasës së 18 vjeçarit nisën një peticion „Luan soll bleiben“ (Luani duhet të qëndrojë), duke fituar mbështetje dita-ditës dhe arriti në 5300 nënshkrime. Kjo bindi autoritetet për t’ia shtuar qëndrimin edhe për një muaj, përcjell botasot.info.

Para këtij vendimi, familja duhej të dëbohej më 23 shkurt në rast se nuk do ta lëshonte Gjermaninë vullnetarisht. Pastaj, për shkak të sëmundjes së rëndë, ishte toleruar qëndrimi i nënës së Luanit ndërkohë qe ai vet duhej të dëbohej.

Gjithshka ndryshoi falë fillimit të peticionit nga Benjamin Heinsohn, 16 vjeç, nxënës në klasën e nëntë në shkollën ku ndjek mësimet edhe Luani: Gjimnazi Max-Klinger në Grünau. Përveç nxënësve peticionin e kanë përkrahur një sërë shoqatash.

Së fundi ka reaguar paksa negativisht përfaqësuesi i të rinjve në partinë e Merkel, CDU, Eric Buchmann (26).

“Prej disa vitesh kemi rritje të numrit të azilkërkuesve nga shumë vende, që në fakt janë zona konfliktesh dhe luftash. Këta azilkërkues vijnë nga frika e vdekjes dhe jo nga përndjekja politike. Megjithatë Kosova nuk është as zonë lufte dhe as zonë krizash,” tha 26 vjeçari.

Por kryetari i parlamentit rinor në Lajpcig, William Rambov kërkon sjelljen e një vendimi për bllokimin e gjithë dëbimeve të nxënësve që ndjekin mësimet në shkollat fillore dhe të mesme.

Luani, dy prindërit dhe vëllai e motra (7 dhe 16 vjeç) hëpërhë ndjehen të çliruar nga frika e dëbimit. Sëpaku edhe për një muaj./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat