Në Eschborn u mbajt Kuvendi zgjedhor i Lidhjes Shqiptare në Botë për Gjermani

Gjermania

Në Eschborn u mbajt Kuvendi zgjedhor i Lidhjes Shqiptare në Botë për Gjermani

Nga: Maxhun Smajli Më: 10 maj 2017 Në ora: 23:36
Foto arkiv - Simon Kuzhni

Në Eschborn, afër Frankfurtit, u mbajt Kuvendi zgjedhor i Lidhjes Shqiptare në Botë për Gjermani. Në këtë Kuvend zgjedhor kishin ardhur një numër i konsideruar bashkatdhetarësh, në mesin e tyre përfaqësues shoqatash e institucionesh.

Për dallim nga Kuvendi zgjedhor paraprak, kësaj here nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e partive dhe të shtetit. Nuk ishin të pranishëm as përfaqësuesit diplomatik të të dy shtetëve tona; Shqipërisë dhe Kosovës, të akredituara në këtë shtet.

Në këtë Kuvend zgjedhor ishin të pranishëm përfaqësues të Shoqatave Kulturore Shqiptare “Salih Çekaj” nga Pfaffenhofen, “Dardania” nga Mannheimi, “Dardania” nga Wiesbadeni, “Bashkimi Kombëtar” nga Offenbachu etj., Lidhja e Shkrimtarëve Krijuesve dhe Artistëve për Gjermani, si dhe Biblioteka Popullore Shqiptare “Akademik Mark Krasniqi” nga Pilstingu.

Të pranishëm ishin edhe personalitete dhe figura kombëtare; Simon Kuzhnini, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, Pal Sokoli, kryetar i LSHKA për Gjermani, Idriz Zeqiri, Martin Çuni, Maxhun Smajli, Bekim Gashi, Hamza Halabaku, Naser Koliqi, Gani Mehmeti, vëllezërit Elvir dhe Ernes Paçarada, Qazim Bajgoraliu, Naser Hoxha etj.. Të pranishme ishin edhe mjetet informative elektronike dhe të shkruara; RTK, TV Diaspora dhe “Bota sot”.

Pas intonimit të Himnit Kombëtar, Kuvendin e shpalli të hapur Sebastian Nuiçi, kryetar i LSHB për Gjermani. Ai, pasi përshendeti të pranishmit foli për rëndësinë e këtij Kuvendi zgjedhor, si dhe shprehi pakënaqësinë e tij për mos përkrahje dhe mbështetje materiale të të dy shteteve tona; Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas Nuiçit “Po t’na dhanë një milon euro, ne, u premtojmë se do t’ua kthejmë njëzet milion euro”.

Pas raportit të punës pesë vjeçare të Lidhjes Shqiptare në Botë për Gjermani, të cilën e lexoj Bekim Gashi, ku pati edhe vërejtje nga disa të pranishëm në sallë, fjalën e mori Simon Kuzhnini, kryetar.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të marrësh pjesë në një Kuvend që ka emër “Lidhja Shqiptare në Botë”. Janë 15 milion e 200 mijë shqiptarë që jetojnë anë e kand botës.... Kuvendet tona nuk e kanë seriozitetin kombëtar e, ne do u themi “stop”, si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë.... Jemi shqiptarë. Vëllezër të një gjuhe, gjaku, kulture e flamuri. Bashkmi Kombëtar nuk do ndodhë pa e përmirësua Evropa gabimin e saj, kuptohet me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe unitetit tonë... Ajo që bëj Apel është organizimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe...Kemi pasur pasuri të madhe dhe, e kemi shkri një pjesë të madhe në interes kombëtar, jo për lavd, por për të mirën e kombit shqiptar, të clit i qoftë fal. Akademia e Shkencave ka pas me u bllokua po të mos kishte qenë Lidhja Shqiptare në Botë, ngase nuk kishte mjete materiale. Akademia ka përgjegjësi të mëdha kombëtare. Ajo duhet t’i frenoj për gabimet që bëjnë drejtuesit e qeverive të të dy shteteve tona; Shqipërisë dhe Kosovës.... Jo vëllavrasje, por të shtrihet dora e pajtimit... Lidhja Shqiptare në Botë synon të jetë ombrellë e gjithë komunitetit shqiptarë. Deshtët apo nuk deshtët, çdo shqiptarë është anëtarë i Lidhjes Shqiptare në Botë...”, tha mes tjerash, Simon Kuzhnini.

Më pas u vendos që të zgjedhet kryesia prej 17-të anëtarësh, por u emëruan vetëm 16-të. Po ashtu, u zgjodhën edhe 23  Delegat për Kongresin e III-të të Lidhjes Shqiptare në Botë, që do të mbahet në Shkup të Maqedonisë.

Ajo që u ra në sy të pranishmëve në Kuvend, qoftë për emërimin e anëtarëve të kryesisë, apo të delegatëve, ishte ngritja e dorës. Të gjithë “për” dhe asnjë “kundër”. As atëherë kur nuk i thuhej emri, vetëm me zonja apo zotriu dhe mbiemri. Edhe pse, shumica prej nesh, ishim të pa njohur për njëri-tjetrin, duart ngriteshin lartë.

Në këtë Kuvend Zgjedhor, për kontribut të dhënë në interes të Lidhjes Shqiptare në Botë, u ndanë 13 “Mirënjohje”. Pas “Mirënjohjes” së 12-të, u bë një “lëvizje” për ndarjen e “Mirënjohjes”së 13-të. Një “befasi” kjo për kryetarin e LSHB për Gjermani, Sebastian Nuiçin, të cilit gati sa nuk iu ndal fryma. “Është kjo një befasi e këndshme! Ju faleminderit!”, u shpreh Nuiçi.

Dhe, krejt në fund, për të pranishmit u kthye një darkë me të gjitha të mirat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat