Konkursi i diturisë në Gjermani "Bocholt 2017"

Gjermania

Konkursi i diturisë në Gjermani "Bocholt 2017"

Nga: Sylejman Salihu Më: 20 maj 2017 Në ora: 12:18
Pamje nga organizimi i konkursit të diturisë, Gjermani

Me 13 maj 2017 në Boholt të Gjermanisë, në një ditë të bukur, arritën 11 shkolla shqipe të Gjermanisë  për të marrë jesë në ngjarjen shkollore „Konkursi e Diturisë- Bocholti 2017“. Kjo është një garë dhe festë tradicionale  shkollore me karakter pune që shënohet çdo vit dhe ku nxënësit shqiptarë të shkollave shqipe gjithandej nëpër Gjermani  konkurojnë për të treguar njohuritë e tyre mësimore të fituara nëpër shkollat shqipe. Përpara objektit shkollor atë ditë kishin dalë të na  prisnin nxënës me flamuj kombëtarë, të cilët që në hyrje tregonin  mikpritjen festive tradicionale shqiptare. Gra të vyera dhe burra shqiptarë kishin marrë përsipër angazhime nga më të ndryshmet që nxënësit, prindërit dhe mësuesit mysafirë të kalonin çaste sa më të mira në ambientet shkollore. Mësuesja e Boholtit, Mimoza Sulollari, bënte provat e saj të fundit me nxënësit e saj, që të dilnin sa më mirë në skenë me programin artistik, duke gjetur edhe kohë për të përshëndetur të ardhurit dhe kolegët e punës. Altoparlanti po shpërndante tinguj muzikor të këngëve popullore shqiptare, duke i dhënë ngjyrë festive këtij takimi. Dukej një atmosferë feste, pune dhe gëzimi.

Programi

Ca këngë të bukura shkollore të kënduara  nga nxënësit e shkollës nikoqire, shoqëruar nga mësuesja e tyre, hapën programin për ta çuar më tutje. duke sjellë mesazhe të forta atdhetarie dhe duke shkaktuar edhe emocione të forta te publiku arsimdashës shqiptar. Vajzat që kënduan „Këngën e abetares“, që në fillim shkëputën  duartrokitjet e publikut, i cili kishte zënë vend në sallën e bukur. Dolën pastaj radhazi fëmijë të tjerë në skenë veshur me kostume, ku rrezatonin ngjyrat kombëtare, me recitime, këngë dhe valle popullore. Kënga „Oj Kosovë, oj nana ime“ ky hit dekadash popullor shqiptar, të dukej sikur  ndizte zemrat e të pranishmëve. Dalin në foltore, flasin dhe përshëndesin urojnë dhe përgëzojnë  këtë aktivitet kryetari i KASH- it për Gjermani, Imer Ademi, koordinatori për arsimin shqip në diasporë Nuhi Gashi, Barbana Sekiraqa- Dobra nga Ministria e Diasporës, kryetarja e Këshillit të Prindërve  në shkollën e Boholtit,Teuta Dervishi.

Image
Pamje nga organizimi i konkursit të diturisë, Gjermani

Pastaj vjen një çast tjetër. Boholtasit shqiptarë duan që të kujtojnë  he të nderojnë, dy nga figurat më dalluara të këtij komuniteti, Qerim Shalën, tashmë i ndjerë  dhe Sylejman Gashin, i pranishëm. Me shoqatën e tyre „Nëna Tereze“ të Boholtit, Qerim Shala dhe Sylejman Gashi kishin bërë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit në Kosovë gjatë kohës së okupimit serb. Ndihma e ndihma pafund për Kosovën e robëruar. Fjalë miradie që emocionuan fort u folën për të dy. Me ndihmën  dhe aktivitetin e këtyre veteranëve ishin bërë punë të mëdha. Vetë shkolla shqipe ishte hapur falë këtyre njerëzve të mirë e atdhetarë, që tash po shënonte edhe tridhjetë vjetorin e hapjes. Andaj komuniteti i këtushëm nuk mund të linte pa i përmendur dhe pa i nderuar. Në çdo aktivitet kulturor e kombëtar, nuk mund të mungonin ata. Ata ishin shtysa, ishin leva që i lëviznin gjërat përpara. Ishin kurdoherë në ballë. Folësi  Agim Rama , që doli të fliste  për mikun dhe bashkëpuntorin e tij të ngushtë, Qerim Shalën, gulçonte nga emocionet aq sa vetëm me duartrokitjet e publikut mundi ta mbaronte rrëfimin e tij. Kaq thellë kishte hyrë emri i Qerim Shalës tek ai.

Image
Pamje nga organizimi i konkursit të diturisë, Gjermani

U nderuan me çmime të dy këta veteranë, madje edhe u  kënduan këngë dhe u recituan vargje për ta. Humanizmi sikur ka gjetur njerëzit e vet në Bocholt. Biznesmeni i ri nga Rahovica e Ferizajt, Brahim Krasniqi, nuk mungon në çdo aktivitet shqiptar. Jo me fjalë, por me veprime konkrete, me ndihma, me mbështetje. Brahim Krasniqi ishte bërë sponzori kryesor i të gjitha këtyre bëmirësive, andaj edhe i këtij evenimenti në këtë ditë garimi të shënuar të shkollës shqipe. Shporta që i dhurohet atij është mirënjohje,  është respekt, është dashuri. Dalin në skenë edhe mësues të Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë „Naim Frashëri“ dhe marrin mirënjohje. Këshilli i nderon ata për punë shumëvjeçare,  sepse  me punën e tyre, ata dhe gjithë mësuesit e tjerë, ia kanë zgjatur jetën gjuhës shqipe nëpër mijëra familje.

Konkursi

Pjesa kryesore doemos që ishte konkursi i diturisë, për çka edhe ishin tubuar të gjithë. Kishin ardhur nxënës nga shumë qytete gjermane: Dyseldorfi, Nojsi,Vupertalli, Firzeni, Hamburgu, Bilefeldi, Aheni, Ojskirsheni, Duisburgu, Hageni dhe Bohollti. Po fillonte gara. Nxënësit tërheqin numrat dhe emrat e qyteteve, me të cilat përfaqësohen përpara publikut. Janë të përgatitur shumë. Por kanë edhe emocione. Nuk mungojnë dëshirat, kanë ëndrra: duan të fitojnë. Bëhen pyetje, jepen përgjigje. Moderatorja Mimoza Sulollari flet dhe lexon me një gjuhë të saktë. Duartroktitjet e publikut u japin zemër dhe kurajë garuesve. Secili do të tregojë se sa di për atdheun. Janë larg tij por e duan, prandaj mësojnë për të. Përfundon xhiroja e parë, përfundon e dyta, përfundon edhe e  treta. Ka ca gabime teknike por me marrëveshje, juria i  tejkalon ato. Garimi ka arritur kulmin. Tri ekipe garuese duan të jetë të parat. Marrin edhe pyetje plotësuese, por sërish të gjithë përgjigjen saktë. Atëherë juria detyrohet të bëjë kompromisin: shpallen fitues për vendin e parë të tri ekipet. Kështu ka ndodhur edhe ndonjëherë përpara. Tash të gjithë çlirohen. Dalin në skenë nxënësit dhe mësuesit e tyre. Kush janë ata?

Dyseldorfi, Firzeni dhe Vupertalli me mësuesit: Rifat Hamiti, Adem Shala dhe Sami Thaqi. Kamera e RTK-së i merr në intervistë. Ndjehen të gëzuar të gjithë. Marrin edhe dhuratat. Përshëndetemi dhe largohemi nga boholtasit shqiptarë, pasi kemi shijuar një ditë të mirë dhe një drekë të shijshme e të bollshme , që na ofruan ata, siç dinë gjithmonë bujarisht dhe shqiptarisht shqiptarët gjithandej.Mësuesja Mimoza Sulollari ndjehet e gëzuar se çdo kaloi mirë dhe falenderon gjithë ekipin organizativ, prindërit, bashkatdhetarët, biznesmenët, që e ndihmuan dhe bashkërisht t‘ ia dalin faqebardhë këtij organizimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat