Zejnullah Zejna i pashmangshëm

Gjermania

Zejnullah Zejna i pashmangshëm

Më: 21 maj 2017 Në ora: 08:26
Sylejman Salihu gjatë fjalimit

Sa herë që më bie të flas për Zejnullah Zejnën më shfaqet një dilemë: ç‘ mund të flas më për të? Fola një herë, fola dy herë, madje fola tri herë. Edhe tash së katërti përsëri! Por me të filluar më zgjohet imagjinata, shpërfaqet ligjërata dhe shkrimi bëhet. Përse ndodh kështu? Dhuntia e fjalës s‘ është e imja, atë ma sjell luftëtari, heroi, dëshmori. Është përmasa e vet dëshmorit dhe heroit që të frymzon, është përmasa morale, flijuese,vetëmohuese, është përmasa njerëzore, kombëtare, është përmasa e tij që ia lehtëson shkruesit formën e shprehësisë artistike a dokumentare.

Kur para dy vitesh kaloja andej nga Gorozhupi, ish mësuesi i Zejnullah Zejnës më tha: këtu ka rënë në fushën e nderit, nxënësi im, personazhi yt dhe dëshmori i atdheut Zejnullah Zejna. Nuk mund të mos e krijoja në imagjinatë portretin e tij. Si ishte ai? Si dukej ai? Fotoja e tregon së jashtmi, por si ishte së brendshmi? Cila ishte përmbajtja e tij nga brenda? Mësuesi i tij më thoshte se ishte i qetë, herë-herë edhe i drojshëm, i heshtur por besnik, i çiltër, i sinqertë, gojëëmbël. E si dukej ai? Edhe mund ta njihja nga afër por ai tash ka zënë vend në imagjinatën time me çiltërsi, trimëri, moral atdhetar dhe ideal kombëtar. Se po të mos kishte moral dhe ideal, ai nuk do të ishte ky që u bë. Nga një mërgimtar si të gjithë ne, ai mëtoi liri dhe lavdi.

Luftëtar në shpirt, ai u bë edhe luftëtar në istikame e llogore të luftës, atje ku Kosova po përgjakej e Zejnullah Zejna me shokë, ia fshinin ballin dhe i betoheshin nënës se do t‘ ia merrnin hakun. Vëllimi i tij trupor nuk ia përcakton vëllimin dhe përmasën morale. Është fryma e tij e përbrendësisë, siç do të shprehej Lasgushi, që ia rritë superioritetin atij në një kohë kur gjëmonin topat dhe vdekja ishtë më e pranishme se jeta. Në fushën e nderit ai e rriti përmasën e tij heroike dhe si i tillë lau një borxh ndaj Atdheut , por na futi neve në borxh, i cili borxh, mbase nuk mund të lahet kurrë, sado themi edhe ndonjë fjalë për të.

Ç‘ borxh i kemi atij dhe gjithë të tjerëve të racës së tij? Shumë, tepër shumë. Po ne ç‘ mund të bëjmë? Ne mund të bëjmë pak, tepër pak, sepse luftëtari dhe dëshmori i lirisë nuk kërkon kurrgjë. Ne vetëm mund ta kujtojmë, ta përmendim, ta njohim dhe ta vazhdojmë amanetin e tij ashtu si dimë, ashtu si mundemi, edhe pse asnjëherë nuk mund ta bëjmë si duhet dhe sa duhet. E ajo kryesorja është t‘ i çojmë në vend idealet e tyre. Dëshmori dhe heroi i atdheut nuk kërkon as mbrojtje, as lavde, se siç do të thoshte filozofi Elvis Hoxha“ heroin e mbron vdekja e tij“. Luftëtari Zejnullah Zejna me të nisur në drejtim të llogoreve të luftës, i del në dyluftim vdekjes, me të cilën në çdo çast takohet pa u trembur, por vetë vdekja si tinëzare që është, i rri në pritë dhe e pret si për inat, sepse ia ka frikën.

Por nëse vdekja nuk mundet si proces biologjik, ajo të paktën mundet si frymë dhe si filozofi. Ja ku më ke, nuk të frikësohem. Zejnullah Zejna me shokë, edhe pse kalojnë vitet, rri në kujtesën tonë siç e njohëm dhe madje ai sa vjen e bëhet më i madh, më i dukshëm , më i pashmangshëm, më i domosdoshëm. Të duket sikur na thotë: ne shkuam , që të rrini ju, ne ramë, që të ngriheni ju, ne mungojmë, që të jeni ju. Të jeni aty mu në zemër të tokës, për të cilën ramë, porosisin ata. Të jeni mu në rrënjë të gjuhës për të cilën kënduam nëpër llogore. Dhe kujdes, të mos i shmangeni jo urdhërit tonë, por urdhërit të atdheut, se atëherë gjëma është e madhe. Atdheu, dëshmorët dhe heronjtë janë sovrani mbi të gjithë ne dhe rrezatimi i tyre shtrihet përjetësisht në gjithëkohësi. Një luftëtar që ka lënë kamjen, pasjen, sigurinë, gruan, dashurinë, dhe ka hyrë në frontin e luftës e ka thënë fjalën e vet prej guri. 

Të gjitha dashuritë i ka këmbyer me dashurinë e atdheut dhe jo me fjalë goje, por me fjalë lirie, me krisma lirie, me frymë lirie. Kosova e robëruar ishte vend fatkeq, që kishte nevojë për dëshmorë dhe heronj. E vendi që ka nevojë për dëshmorë dhe heronj nuk është i lumtur. S‘ ka si të jetë i lumtur! Askush s‘ ishte i lumtur, sepse mungonte liria. Kosova ishte vend tragjik, por tragjika e saj sot është edhe heroike. E heroikja si vlerë morale dhe estetike është kulmi i çdo vlere. Sa e vakët do të dukej jeta, letërsia, muzika, skulptura, historia, piktura, arkitektura, sikur të mos i kishim sot kaq shumë dëshmorë dhe kaq shumë heronj, të cilët janë trupëzuar estetikisht në vepra arti pamore, dëgjimore e shkrimore. Por si lind një dëshmor, si lind një hero?

Është arti i tij që e bën të tillë. Është lufta e tij. Zejnullah Zejnën arti i tij luftarak prej topxhiu e bëri të njohur për të gjithë ne. Dikush mund ta njihte për të gjallë, por jo kaq shumë sa e njohin sot pas përjetësimit dhe gradimit :Dëshmor i Atdheut. Dhe ky titull i rri bukur, se vjen nga betejat e skuqura me gjak, aty ku lindin liritë. Liria nuk lind në kopshte me lule, por ajo lind në llogore të llangosura me gjak.Të gjithë luftëtarët që shkuan në luftë u betuan se do të vdesin për mbrojtjen e atdheut dhe flamurit, por të gjithë nuk vdiqën. Prandaj edhe të gjallët nuk u graduan as dëshmorë, as heronj. Nuk e patën këtë fat. Se për të qenë i tillë, duhet të hysh nëpër derën e madhe të tragjedisë kombëtare, bashkë me tragjedinë personale, të paguar me kokë e fill pas kësaj për t‘ u ngjitur në panteonin e madh të lavdisë.

Dëshmorët dhe heronjtë të duket sikur hoqën dorë nga jeta, sepse e deshën lavdinë dhe pavdekësinë. Si Akili i Homerit, që mohoi jetën e gjatë e të palavdi, me një jetë të shkurtër por të lavdishme. Ky është një tundim i njerëzve të mëdhenj. Heronjtë nuk maten me punë të vogla, ata e kërkojnë garën me jetë a vdekje. Pra jeta e heroit dhe dëshmorit sikur nuk bën pa tragjedi.Duhet të derdhet gjaku, që të hyjë në pallatin e madh të lavdisë. Shkrimtarja gjermane Christa Schyboll do të shprehej kështu: „Heronjtë pa tragjedi janë si librat pa fjalë“. E Zejnullahu pra është heroik se ishte tragjik dhe si i tillë është edhe një libër, madje një libër i madh me shumë fjalë e me një dramë të madhe.

Zejnullah Zejna mund të jetonte me komoditet , por atë komoditet nuk e deshi, ndaj edhe shkoi atje ku jeta përballej me vdekjen, liria me robërinë, lavdia me tradhtinë. Ai shkoi jo vetëm për të larë një borxh qytetar por edhe për të dhënë një mësim, për të dhënë një porosi se si duhet të mbrohet atdheu dhe si duhet të vdiset për të. Luftëtarët e lirisë janë si majat e larta të lisave të rrallë, që janë ngritur më lart nga të tjerët, për të prekur lartësi, për të shtrirë veten në pafundësi.
Zejnua ishte i vetëdijshëm se fushat e luftës janë të mbushura me plumba, me mina, me predha, me gropa dhe se atje kurdoherë pret në fshehtësi mordja me kumtin e saj të zi. Por a tremben luftëtarët nga kjo?

Jo. Mijëra shembuj pohojnë se luftëtari i lirisë ka vetëm ecje, ecje për të arritur në cak. Pastaj ata vetë shkojnë, pasi kanë kryer detyrën e madhe. Shkojnë të lirë se jeta pas vdekjes së tyre do të rrjedhë mirë, siç e kishin në imagjinatën e tyre. Por të na falësh Zejnullah Zejna: idealiteti yt dhe i shokëve tu është në shpërputhje të madhe me realitetin tonë zhgënjyes, i cili është krejt ndryshe nga ç‘ e keni pasur në imagjinatën e juaj. Ky ishte fati ynë dhe i Juaji.
Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të kombit!


Lavdi dëshmorit Zejnullah Zejna!

Bielefeld, më 20. 05. 2017

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat