Synimi dhe sfidat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Bavari

Gjermania

Synimi dhe sfidat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Bavari

Isuf I. Bytyçi Nga Isuf I. Bytyçi Më 19 dhjetor 2017 Në ora: 14:21
Foto nga takimi

Më 13.12.2017, përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës në Munih të Gjermanisë kishin organizuar një takim të përbashkët me përfaqësuesit e MASHT-it dhe ata për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari.

Në cilësinë e nikoqirit, ishin përfaqësuesit e konsullatës së Kosovës, z. Hamdi Reçica dhe z. Faket Kajtazi. Ndërsa mysafirë nga Kosova, ishin përfaqësues nga institucionet më prestigjioze kosovare, përfaqësues nga: MASHT-i, nga Instituti Pedagogjik, IPK, Drejtoria e Kompetencës – Skenderaj, AAAPARr: znj. Shyhrete Reçica, z. Armend Bajraktari, z. Agim Bujari, z. Bashkim Ali Azemi, z. Jetmir Berisha  dhe znj. Liridona Shala. Kurse, përfaqësuesit për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari ishin z. Mustafë Krasniqi dhe, Isuf Bytyçi.

Mysafirët nga Kosova, kishin ardhur, që ta shohin ecurinë e Mësimit Plotësues në Bavari, nga afër. Temë komunikimi ishte Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe, prioritetet dhe sfidat,  që i ka.

 Përfaqësuesit e KMPGJSH-së, i shpalosën pothuaj të gjitha vështirësitë, që e përcjellin Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari! U pasqyrua gjendja reale dhe u mor si një shqetësim i dukshëm, gjendja e njohjes së Gjuhës amtare nga ana e fëmijëve tanë këtu e, kudo në mërgim! Ka nga ata, që nuk e flasin fare gjuhën amtare! Andaj, për këtë duhet të shqetësohen institucionet tona shqiptare, të paktën të ndjejnë përgjegjësi institucionale, kombëtare e morale për  fëmijtë mërgimtarë dhe vet mërgatën shqiptare, gjë që t’i prijnë këtij procesi, duke i motivuar bashkëkombësit dhe joshur me bindjen e domosdoshme për ruajtjen e vlerës së kulturës, duke u dhënë përkrahje veprimtarëve të palodhur të cilët merren me projektin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Bavari e gjetiu, theksuan përfaqësuesit e KMPGJSH-së, Mustafë Krasniqi e Isuf Bytyçi.

Pasi u informuan mirë përfaqësuesit e ASHAK-ut, në lidhje me situatën, aty u bë një dialog i ngjeshur, në kërkim të një zgjidhje më të mirë të mundshme. Pas një debati relativisht të gjatë,  u arrit deri te ideja se si duhet vepruar më tutje, me Mësimin Plotësues.

U përmend qëllimi i mbajtjes së Mësimi Plotësues: vetëdijësimi i bashkatdhetarëve, koha e prindërve dhe e fëmijëve si dhe mbajtjen e mësimit dhe lejimi i klasave. Po ashtu, forma e organizimit, e pagesës së arsimtarëve, sjellja e teksteve dhe Plan-programi për Diasporë, kualiteti i mësimdhënies, metoda e punës me nxënës, sidomos në grup-mosha të ndryshme brenda një klase, gjetja dhe përgatitja e arsimtarëve, lejimi i objekteve shkollore, sjellja e fëmijëve në shkollë për Mësimin Plotësues nga prindi, koha e sjelljes, motivimi i prindërve dhe fëmijëve dhe interesi i tyre, se cili është etj.

Pas gjithë këtyre informatave, secili nga të pranishmit - përfaqësuesit e MASHT-it, i dhanë idetë e tyre. Premtuan se brenda mundësive që i kanë, do ta përkrahin KMPGJSH-në dhe vazhdimisht do të japin këshilla e programe, që dhe do t’i përgatisin enkas, për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë, me modele të kapshme dhe lehtësuese.

Gjatë diskutimit u mor si shembull modeli Suedez dhe ai Kroat, që deri më tani duket se janë modelet më të mira, nga që arsimtarët përfitojnë paga nga shteti, ku e mbajnë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe. Më tej, përfaqësuesit e KMPGJSH-së, këtë model e trajtuan si model i mirë, por megjithatë, theksuan se ky model nuk mund të merret edhe për shtetet tjera e, sidomos për landin e Bavarisë. Land, për dallim nga landet tjera të Gjermanisë, që nuk e merr përsipër pagën e mësimdhënësve për mësimin plotësues të gjuhëve të huaja! Por, që mundëson të mbahet Mësimi Plotësues në gjuhët e huaja, brenda objekteve shkollore. Ndërsa, ne si KMPGJSH, jemi në kërkim të alternativave të mundshme për të siguruar një qëndrueshmëri në lidhje me  pagat e mësimdhënësve, shtuan përfaqësuesit e KMPGJSH-së.

Përveç të tjerash u diskutua edhe puna e monitorimit për Mësimin Plotësues: kualiteti, kriteret, profili pedagogjik, objektivat, komunikimi, bashkëpunimi etj. Aty u propozua dhe u premtua nga përfaqësuesit e MASHT-it, se këtë shqetësim do ta përcjellin në Ministrinë e Arsimit, si dhe do të merremi me përgatitjen e një broshure, në të cilën do të jetë metodologjia më e re e mësimdhënies, e cila përdore në vendet më të përparuara europiane. U fol rreth hulumtimit, në lidhje me arsimin dual.  Instituti dhe Agjensioni, do të na përkrahin në aspektin profesional, thanë ata. Ndërsa, Drejtoria e Drejtoratit të Skenderajt, do ta bëjë ndërmjetësimin me shkolla të ndryshme të shteteve të Bashkimit Europian.

Që krejt në fund erdhëm në përfundim se Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, por kudo që mbahet në botë, secili mund ta ndihmojë, por jo edhe ta kontrollojë dhe ta inspektojë apo ta pengojë. Vetëm ai institucion, i cili e organizon dhe e financon, e ka të drejtë ta kontrollojë dhe inspektojë, por, jo edhe ta pengojë. Po ashtu nga  përfaqësuesit e MASHT-it edhe KMPGJSH-së u mor si e domosdoshme gjetja e një zyre të veçantë dhe krijimi i orarit të saj të punës, e cila jo vetëm që do ta tregonte adresën e saktë për punë dhe kontakt me palë, por edhe do ta shtonte seriozitetin e punës së KMPGJSH-së.

Pra, premtimet nga ana e përfaqësuesve të MASHT-it, për bashkëpunim ishin të parezervë, ashtu sikurse edhe shpresat, nga ana e përfaqësuesve të KMPGJSH në Bavari, po aq ishin të mëdha.

Pas gjithë këtyre diskutimeve dhe problemeve të shtruara nga ana e përfaqësuesëve të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, përfaqësuesit e MASHT-it u zotuan se për këtë çështje kaq të rëndësishme kombëtare do të na qëndrojnë pranë dhe do të dalin me një deklaratë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat