KMPGJSH në Bavari: Të flasim shqip

Gjermania

KMPGJSH në Bavari: Të flasim shqip

Më: 26 dhjetor 2017 Në ora: 18:01
Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari

Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari shpreh shqetësimin për injorimin e mërgatës shqiptare për të dërguar fëmijët e tyre që të mësojnë në gjuhën shqipe, me pretekstin se gjuha shqipe është pengesë për të arritur njohuri në gjuhën vendase.

Përmes një komunikate për media, Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, kërkon nga mërgata shqiptare në Gjermani, përfshirë edhe shoqata dhe biznese që të ngrenë zërin kundër kësaj dukurie, pasi fëmijët e mërgimtarëve nuk duhet të harrojnë gjuhën shqipe, identitetin dhe kulturën kombëtare-shqiptare.

“Ne si KMPGJSH, me të gjitha sfidat e mëdha, së bashku me Këshilla të Prindërve, mësues/se, me përkrahjen e pjesshme të përfaqësuesve Konsullor të të dy shteteve shqiptare në Munih, kemi arritur suksese të dukshme dhe jemi në rrugëtimin e suksesit dhe shpresojmë se viti i ardhshëm të na gjejë më të bashkuar dhe me një ngritje më të lartë të vetëdijesimit të mërgatës për shkollën shqipe. Fëmijët mërgimtarë duke i mësuar shkronjat, hartën, historinë e atdheut, duke folur shqip me prindërit, do të jenë më afër atdheut  të tyre”, thuhet në komunikatë.

KMPGJSH-ja është mirënjohëse për çdo ndihmë dhe bashkëpunim të secilit biznes e shoqatë, ndërkohë që  u bën thirrje institucioneve në Prishtinë dhe Tiranë që t’i bashkohen përpjekjeve për vetëdijesimin e bashkatdhetarëve për mësimin  e gjuhës shqipe, pasi në këtë mënyrë do të ruhet gjuha, kultura dhe  identiteti te fëmijët mërgimtarë.

Njëherësh Këshilli në fjalë falënderon Fondacionin “BESA” që u ka dalë shumë herë në ndihmë bashkatdhetarëve, ku vetëm në nëntor të këtij viti ndau 1400 euro dhe një printer për pagën e mësimdhënësve, por edhe për gatishmërinë për të përkrahur dhe sensibilizuar bashkatdhetarët lidhur me projektin për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, duke iu dhënë kurajë KMPGJSH-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat