Vetëvendosje vërshohet nga dorëheqjet, ky zyrtar dha sot dorëheqje

Gjermania

Vetëvendosje vërshohet nga dorëheqjet, ky zyrtar dha sot dorëheqje

Nga: A.M. Më: 9 janar 2018 Në ora: 17:39
Kujtim Robelli ne qendren e VV-se ne Gjermani

Sot e ka bërë publike dorëheqjen Vlorian Molliqaj, vëllai i ish sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqajt, po pasi tij ka dhënë dorëheqje edhe një anëtarë i kësaj partie.

Dorëheqje ka dhënë Delegati i Këshillit të Përgjithshëm në Gjermani, Kujtim Robelli, këtë e ka bërë të ditur vet ky i fundit përmes një postimi në Facebook.

Robelli ka shkruar në Facebook se “kur unë kategorizohem si armik veç shkaku i miqësisë me Frashër Krasniqin, Dardan Molliqajn dhe Aida Dërgutin, gjë për të cilën ka dëshmi në formë te procesverbaleve atëherë nuk më ka mbetur vend në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sepse nuk e kam ndërmend t’i tradhëtoj bindjet e mia, t‘i nënshtrohem një strukture organizative diktatoriale sado që na qenka e mirë ajo”.

Postimi i plotë:

Të nderuar anëtarë të mbetur dhe eventualisht të rikthyer të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

I nderuari Hydajet Hyseni, Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

I nderuari Ismajl Kurteshi, Sekretar Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

Dhe mbi të gjitha e dashura Lëvizja VETËVENDOSJE!,

Thellë në zemër kam shpresuar, sidomos gjatë muajit të fundit, që konflikti brenda Lëvizjes do të zgjidhet. Edhe pse i vetëdijshëm që një zgjidhje eventuale e konfliktit nuk do t’i bënte të zhbëra sjelljet e të involvuarve në konflikt dhe pas "zgjidhjes” asgjë nuk do të bëhej siç ka qenë mëparë, prapë shpresoja. Shpresë gënjeshtare!

Kur i jam bashkuar Lëvizjes, ndër shumë arsye të tjera, përputhja e parimeve të mia me ato të Lëvizjes ka qenë kryesore në vendimmarrjen time.

Ende pa qenë në njohuri për konfliktin e brendshëm, isha i brengosur për kultin që po i krijohej Albin Kurtit, sepse ishte i papajtueshëm me parimet e Lëvizjes.

Në një bisedë me Albin Kurtin, e bëra një vlerësim subjektiv të idealizmit të tij të shprehur gjatë bisedës, kjo e fundit bashkë me arsye tjera tani po përdoret si justifikim për etiketime, shpifje dhe "përndjekje politike‘‘ ndaj meje. Përhapja e këtij vlerësimi, që i’a kam thënë vetë Albin Kurtit dhe tani po trajtohet si ,,ofendim‘‘ apo ,,blasfemi‘‘, është bë pikërisht nga vetë zotëri Kurti!

Kush e di se për çfarë arsye e bëri këtë apo çfarë fshihet pas kësaj?

Përshtypja që më është krijuar nga ky veprim është, me dashje apo pa, nxitja!

Që nga ai moment kur filluan insinuatat ndaj meje kuptova që brenda Lëvizjes po zihej diçka. Nga ai moment fillova të kuptoja që shpifjet që i dëgjoja ndaj ca aktivistëve ishin rezultat i përçarjeve. Për hirë të së vërtetës më duhet të theksoj që asnjë fjalë degraduese të drejtuar ndaj Albin Kurtit nuk më ka rastisur të dëgjoj. Gjithë etiketimet dhe shpifjet ishin të drejtuara ndaj Dardan Molliqajt, Frashër Krasniqit, Teutë Rrustës, Nol Nushit e disa të tjerëve.

Është i çuditshëm morali i dyfishtë në Lëvizje që po praktikohet qe disa muaj!

Kur grupit parlamentar iu publikua biseda në Viber filloi linçimi ndaj Aida Dërgutit, dhe jo kërkimi i spiunit që e publikoi atë. Pjesëmarrja e Elvis Hoxhës në një mbledhje të Kryesisë së Qendrës në të cilën më ofendoi, justifikohej pikërisht nga ata persona që e miratonin linçimin e Aidës për “blasfeminë” e shprehur nga ajo, duke thënë se ofendimi ndaj një aktivisti ,,të thjeshtë‘‘ është legjitim, kurse ai ndaj “babës” dhe njëkohësisht “liderit” jo.

Një Lëvizje që e ka një nga parimet kryesore barazinë, duhet t‘i trajtoj si devijime justifikimet e tilla dhe ngritjen e një personi mbi tjetrin.

Kur një anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! kërkon nga të gjithë të bëhen bashkë me të ,,ushtarë të Albinit‘‘ dhe nuk i tërhiqet së paku vërejtja nga vetë Albin Kurti, në emrin e të cilit po bëhen këto thirrje, e tregon në heshtje miratimin e tij ndaj këtyre veprimeve dhe rrjedhimisht devijimin total nga Lëvizja progresive dhe parimore.

Kur kërkohet pozicionim pas Albin Kurtit, përndryshe, siç na lënë të kuptojmë ca kërkesa, do të kategorizoheshim si armiq dhe kjo e implikon përndjekjen dhe rrjedhimisht është kërcënim!

Kjo logjikë fashiste që e bën ndarjen në miq dhe armiq është tejet e rrezikshme dhe e ka katapultuar nga njëri çast tek tjetri në stalinizëm Lëvizjen, ngaqë ka persona të caktuar që janë bërë rob të kësaj logjike!

Kur unë kategorizohem si armik veç shkaku i miqësisë me Frashër Krasniqin, Dardan Molliqajn dhe Aida Dërgutin, gjë për të cilen ka dëshmi në formë te procesverbaleve atëherë nuk më ka mbetur vend në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sepse nuk e kam ndërmend t’i tradhëtoj bindjet e mia, t‘i nënshtrohem një strukture organizative diktatoriale sado që na qenka e mirë ajo. Nuk e kam ndërmend të distancohem nga Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, apo çdokush që pafajësisht konsiderohet si armik, për ti shërbyer personave të caktuar për interesa personale. Nuk e kam ndërmend të jem pjesë e një strukture e cila fsheh "eleminimet politike‘‘ prapa logjikës së numrave, e cila në fshehtësi vepron kundër aktivistëve të saj dhe i linçon ata në publik.

Prandaj, shumë i zhgënjyer për rrugën në të cilën ca persona e kanë futur Lëvizjen, jap dorëheqje nga pozita e delegatit të Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe nga çdo pozitë e imja në Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjermani, si Koordinator i pikave, anëtar i komisioneve dhe sekretariateve.

Në fund më duhet t‘i përmendi edhe katër aktivistët që sherri i këtij konfikti të njëanshëm nuk po përmenden aq sa duhet dhe angazhimi për lirimin e tyre dita ditës është në zhdukje, nga personat që po kërkojnë armiq dhe po e okupojnë lëvizjen VETËVENDOSJE! për interesat e tyre, duke mos i lënë kohë fare për t’i mbrojtur aktivistët e saj Adean, Atdheun, Egzonin dhe Frashërin.

Është hipokrizi dhe e papërgjegjshme që në të njejtën kohë të jesh në dijeni të së vërtetës dhe të qëndrosh në këto struktura që po e shkatërrojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Kujtim Robelli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat