Komiteti i jep mbështetje drejtorit të arsimit për rastin e shkollës në Zhegër

Gjilani

Komiteti i jep mbështetje drejtorit të arsimit për rastin e shkollës në Zhegër

Më: 31 maj 2016 Në ora: 10:27
Nazmi Musa

Drejtorët e dy gjimnazeve në Gjilan, të cilët kanë paralele të ndare fizike në Zhegër, mund të përballen me masa disiplinore për shkak se kanë lejuar organizimin e provimit të lëndës së historisë, për nxënësit e klasave të dhjeta, njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta, në kundërshtim me rekomandimin e autoriteteve arsimore. Nxënësit e Zhegrës e kanë bojkotuar lëndën e historisë gjatë një gjysmëvjetori të tërë, në shenjë kundërshtimi të profesorit Ilir Vokshi dhe përkrahjes së paraardhësit të tij.

Kështu ka thënë të hënën drejtori i Arsimit, Nazmi Musa, në mbledhjen e Komitetit të Arsimit, ku është diskutuar edhe ky problem. Ai ka paralajmëruar sanksione edhe për anëtarët e komisionit për mbajtjen e provimit të lëndës dhe personat tjerë të përfshirë në këtë rast.

Komiteti i Arsimit ka kërkuar zbatimin e ligjit dhe në këtë drejtim i ka dhënë përkrahje drejtorit Nazmi Musës. “Komiteti i Arsimit e mbështet DKA-në ndërmarrjen e veprimeve konkrete ndaj atyre që nuk kanë respektuar procedurat ligjore”, ka thënë Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, duke shtuar se anarkisë në shkolla nuk duhet t`i lihet hapësirë.

Musa i ka sqaruar të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë për të normalizuar mësimin në këtë shkollë sa i përket lëndës së historisë. Ai ka thënë se Inspektorati Regjional i Arsimit ka rekomanduar mbajtjen e mësimit plotësues, para se nxënësve t`iu mundësohet hyrja në provim të lëndës, por rekomandimi nuk është respektuar.

Në diskutim rreth këtij problemi, të cilin e kanë ngritur për diskutim Fehmi Sylejmani (VV) e Leonora Bunjaku (PDK) si dhe çështjeve tjera nga fusha e arsimit, janë përfshirë edhe Ajtene Shahiqi (AAK), Idriz Ramadani (LDK) e Arta Hyseni (LDK).

Komiteti i Arsimit është njoftuar edhe me raportin tremujor të Drejtorisë së Arsimit, të cilin e ka prezantuar Nazmi Musa, ndërkaq disa nga pikat tjera i ka shtyrë për seancën e radhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat