Mbahet Kuvendi i Nisma-s në Gjilan

Gjilani

Mbahet Kuvendi i Nisma-s në Gjilan

Më: 13 qershor 2016 Në ora: 21:11
Fatmir Limaj

Të hënën Nisma në Gjilan ka mbajtur Kuvendin e parë zgjedhor, ku ka zgjedhur Këshillin e Degës prej 41 anëtarëve, dhe ka përzgjedhur 31 emra për delegatë në Kuvendin Zgjedhor të Nisma-s për Kosovën.

Ndërsa, gjatë ditëve në vijim, Këshilli i Degës do të zgjedh kryetarin dhe anëtarët e kryesisë së Nisma-s për Gjilanin. Në Kuvend kanë marrë pjesë drejtues të Nisma-s, kryetari Fatmir Limaj, sekretari Bilall Sherifili, deputetet Valdete Dushica-Bajrami e Shukrije Bytyçi dhe anëtarë të tjerë të kryesisë qendrore.

Gjatë këtij kuvendi foli kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, i cili ka thënë se është koha për ndryshime dhe ndryshimi sipas tij, është Nisma për Kosovën.

Ai u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në Kuvend, që t’i ndëshkojnë me votë ata që kanë keqqeverisur, manipuluar dhe gënjyer qytetarët tërë këto vite.

Po ashtu, Limaj ka lavdëruar për punën e këtyre dy viteve, drejtuesit e Nisma-s në Gjilan, duke thënë se Gjilani përfaqësohet denjësisht nga një zë i fuqishëm në parlamentin e Kosovës.

“Ne kemi bërë një rrugë jo të lehtë, ashtu si çdokund në Kosovë, dhe Gjilani nuk është përjashtim. Rruga jonë ka qenë një sfidë e madhe, me situata të vështira dhe të rënda për të vepruar, zgjeruar dhe shpalosur vizionin tonë”, ka thënë Limaj.

Gjithashtu, Limaj ka përkujtuar angazhimin e Nismas për ndaljen e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Ndër të tjera, Limaj ka thënë se kur të vijë koha të bëhet demarkacioni me Serbinë, më së shumti do të pësojë Anamorava.
“Nëse sot luftojmë për demarkacionin me Malin e Zi, nuk po luftojmë vetëm për territor, por po luftojmë që Serbia mos të vijë në paralagje të Gjilanit. Me demarkacionin me Serbinë, më së shumti do të preket Anamorava”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Nisma-s për Gjilanin, Bajram Hasani, ka shpalosur punën e degës që ai ka udhëhequr gjatë këtyre dy vjetëve. Ai ka falënderuar për punën gjithë anëtarët e Nisma-s në Gjilan, duke potencuar se rruga e Nismës nuk ka qenë fare e lehtë.

Hasani është zotuar se puna e Nisma-s do të vazhdojë çdo ditë e më shumë.

“Gjatë këtyre dy viteve NISMA në Gjilan është shtrirë në çdo lagje dhe çdo fshat të qytetit. Por ky është vetëm fillimi, ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë e më shumë që të shpijmë përpara politikat e NISMA-s.”, ka thënë Bajram Hasani.

Hasani ka vlerësuar se NISMA ka lindur si një nevojë e qytetarëve të Kosovës.

“Me punën tonë dy vjeçare ne kemi sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike të vendit. Që në provën e parë të madhe, në zgjedhjet e vitit 2014 ne treguam se jemi një subjekt serioz e me qëllime të sakta duke u bërë kështu pjesë e Kuvendit të Kosovës” ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se Kosovës i duhen ndryshime. “Kosovës i duhet një frymë e re, dhe ajo frymë është NISMA për Kosovën” ka shtuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat