Haziri: Problemet e mikro-regjionit tonë duhet t’i zgjidhim në frymën europiane

Gjilani

Haziri: Problemet e mikro-regjionit tonë duhet t’i zgjidhim në frymën europiane

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 17:28
Pamje nga konferenca

Me ide e rekomandime tejet të rëndësishme, ka përfunduar sot  konferenca e kryetarëve të Komunave për Bashkëpunim Rajonal Europian, në të cilën morën pjesë 17 komuna të mikro-regjionit europian nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Bullgaria, e cila është organizuar nga kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri. 

Pos Gjilanit, në këtë konferencë kanë marrë pjesë kryetarët dhe përfaqësuesit e Komunës së Kamenicës, Vitisë, Parteshit, Ranillugut, Novobërdës, Preshevës, Krival Palankës (Maqedoni), Kumanovës (Maqedoni), Likovës (Maqedoni), Rankovcit (Maqedoni), Cucer Sandevo (Maqedoni), Staro Negoricane/Klecovc (Maqedoni), Kystendil (Bullgari) dhe kryetari i Bosilegrad (Serbi).
 
Kryetarët e komunave përkatëse kanë falënderuar kryetarin Haziri për këtë organizim, ndërsa u theksua fakti që këto konferenca janë të fuqishme dhe me mundësi më të mëdha edhe në raport të thithjes së investimeve dhe projekteve të interesit të përbashkët ndërkomunal dhe ndërshtetror. 

Po ashtu, pjesëmarrësit e kësaj konference thanë se gjenerata e tanishme tashmë e ka kuptuar që duhet dhe është domosdoshmëri e bashkëpunimit për të shënuar prosperim dhe lëvizje të proceseve për jetën më të mirë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor dhe me mbështetje të njëra-tjetrës. 

Gjatë kësaj konference u potencua se takimet e përbashkëta janë një gjetje ideale për të qenë një zë i fuqishëm në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që zhvillimi dhe investimet të drejtohen në këtë regjion të Ballkanit Perëndimor. 

Kryetarët e Komunave të mikro regjionit europian, kanë kërkuar nga MAPL dhe të gjitha ministritë e linjës në Kosovë, Maqedoni, Serbi, e Buullgari, që tani duhet të kenë një qëndrim tjetër dhe më pozitiv për komunat e këtij mikro-regjioni, duke thënë se ky është një trup i fuqishëm i bashkuar, u cili prekë katër shtete.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se përmes takimeve të përbashkëta, 17 komunat e këtij mikro-regjioni bëhen shembull i bashkëpunimit, pa dallime partiake, etnike, gjuhësore.

“Le të merret dita e sotme jo vetëm si rikthim i GJKPT-së, por që të jemi shembulli më i mirë i bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor. Telashet që i kemi në aspiratën dhe rrugën tonë, na çojnë në qëllimin që edhe ne si të zgjedhur lokal ta japim kontributin tonë, të bëhemi shembull i mire i bashkëpunimit, pa dallim partiak, etnik, gjuhësor dhe në interes të komunitetit, të njerëzve dhe në frymën europiane t’i zgjedhim problemet në komunat tona, që jemi afro 700 mijë banorë së bashku”, ka thënë Haziri. “Unë llogaris që ky bashkëpunim neve na afron edhe më shumë në çdo aspekt dhe në të ardhmen do të bëjmë vizita të ndërsjella, në mënyrë që të bëjmë shkëmbime, ndërhyrje të vogla e të shpejta për të zgjidhur problemet e përbashkëta në mënyrë që vërtetë t’i japim gjak procesit të bashkëpunimit. Kërkoj na qeveria dhe shoqëria civile që të na japin mbështetje në këtë proces të GJKPT-së. Për fund dua të them me bindje të plotë që është e pamundshshme që të ndalet ky sukses i mikroregjionit tonë”, ka theksuar në fund të kësaj konference kryetari i Gjilanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat