Haziri në debat me qytetarë: Kemi krijuar balancë investimesh qytet-fshat

Gjilani

Haziri në debat me qytetarë: Kemi krijuar balancë investimesh qytet-fshat

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 11:06
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri në debat me qytetarët

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtorët komunalë si dhe kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka mbajtur të hënën debatin e dytë me qytetarë, ku ka prezantuar të arriturat e këtij viti, sukseset dhe sfidat si dhe planet për vitin e ardhshëm, që në të vërtetë ishte përmbyllje e një cikli të gjerë takimesh me publikun, të cilat janë mbajtur nëpër lokalitete të ndryshme.

Fillimisht, kryetari Haziri ka thënë se në këto tri vite të qeverisjes së tij, është investuar shumë në infrastrukturën publike, që ka qenë kërkesë kryesore e qytetarëve, si në dëgjimet publike, ashtu edhe në takimet javore me ta.

“Vetëm sivjet, investimet në infrastrukturën publike, ku janë përfshirë të gjitha lokalitetet, arrijnë vlerën 5.6 milionë euro, por investime edhe më të mëdha do të ketë vitin tjetër”, ka thënë Haziri.

Për më tepër, kryetari Haziri tha se qeverisja e tij ka vendosur një balancë të investimeve qytet- fshat.

Përveç infrastrukturës publike, investimet tjera më të mëdha, 3 milionë euro, i ka marrë arsimi, ku, siç ka thënë Haziri, ka probleme me ndarjen jo të drejtë të buxhetit, përkatësisht ndarjen jo të dejtë të normave në arsim.

Pasi i ka përmendur projektet konkrete që janë realizuar, ose që janë në proces e sipër në këtë sektor, siç është çerdhja në lagjen “Dardania”, palestrat e sporteve për shkollën “Abaz Ajeti” dhe fshatin Pogragjë si dhe projekte të tjera, Haziri ka thënë se me ndërtimin e objektit të ri shkollor në fshatin Haxhaj, vitin e ardhshëm, përmbyllet cikli i investimeve në infrastrukturën shkollore.

Një sektor tjetër që ka pasur vëmendje të madhe sivjet, ka qenë kultura, rinia dhe sporti, sektarë këta për të cilët janë ndarë 120 mijë euro subvencione, pa përfshirë teatrin.

“Gradualisht po i rritim investimet në këtë sektor, për të stabilizuar sa më mirë kulturën në përgjithësi dhe teatrin, në veçanti”, ka thënë kryetari i Komunës.

Bujqësia po ashtu është subvencionuar me prioritet, sidomos sektori prodhues dhe familjet bujqësore, ku sivjet janë investuar 1.6 milion euro, duke përfshirë mjetet nga buxheti i Komunës dhe Ministria.

“Synimi ynë është që shpenzimet e familjeve bujqësore t`i zbresin në zero”, ka thënë Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat