Gjilani dhe Vitia mbështesin projektet në fuqizimin e gruas

Gjilani

Gjilani dhe Vitia mbështesin projektet në fuqizimin e gruas

Më: 16 dhjetor 2016 Në ora: 12:06
Komuna e Gjilanit

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur dje përfaqësuesit e organizatës “Kosovo Center for Bussiness Support” (KCBS), Burim Korqa – menaxher dhe koordinatorët Arta Qupeva e Besim Haziri, ku kanë biseduar rreth fillimit të implementimit të dy projekteve të cilat konsiderohen si të rëndësishme për këtë komunë që ka të bëjë me të drejtat pronësore të grave, si dhe fuqizimi ekonomik i gruas dhe avancimi i shoqërisë nga Kosova.

Kreu i kësaj komune, Lutfi Haziri, i ka dhënë mbështetje kësaj organizate për implementimin e këtyre dy projekteve që, sipas tij, janë në të mirë të qytetarëve të Gjilanit. Ndryshe, projekti “Të drejtat pronësore të grave, fuqizimi i tyre”, i cili financohet nga USAID-i, ka për qëllim funksionalizimin e zyrës për regjistrimin civil në zbatimin e obligimeve ligjore për dërgimin e certifikatave të aktit të vdekjes në gjykatë për procedurë të mëtutjeshme trashëgimore në Komunën e Gjilanit.

Ndërkaq projekti “Fuqizimi ekonomik i gruas, avancimi i shoqërisë kosovare” financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ka për qëllim fuqizimin socio-ekonomik të gruas afariste përmes edukimit dhe angazhimit të saj në vendimmarrje, me qëllim të krijimit të politikave lokale në favor të bizneseve. Përfaqësuesit e organizatës “Kosovo Center for Bussiness Support” (KCBS) janë ndarë të kënaqur në takimin që kanë zhvilluar me kreun e kësaj komune, si dhe me zotimin për mbështetje të institucionit të komunës për këto dy projekte.

Ata gjithashtu kanë qëndruar edhe në Komunën e Vitisë, ku janë takuar edhe me kreun e kësaj komune, Sokol Haliti, i cili gjithashtu është zotuar për mbështetjen për këto dy projekte. Kurse përfaqësuesit e organizatës e njoftuan kreun e kësaj komune se projekti për drejtat pronësore të grave, fuqizimi i tyre, ka për qëllim funksionalizimin e zyrës për regjistrim civil në zbatimin e obligimeve ligjore ex-officio për dërgimin e certifikatave të aktit të vdekjes në gjykatë për procedurë të mëtutjeshme trashëgimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat