Nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, Bordi i Drejtorëve i Komunës së Gjilanit ka mbajtur sot mbledhjen e fundit për këtë vit, e cila si zakonisht ishte e hapur për publikun, ku është bërë një rekapitulim i punës për vitin 2016.
Kryetari Haziri tha se ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i rëndë për Komunën e Gjilanit, jo për qytetarët por për zyrtarët, pasi janë suspenduar 28 zyrtarë pas aktakuzës së prokurorisë për krim të organizuar për periudhën 2009-2012.
Ai ka përmendur sukseset në të gjitha fushat e rëndësishme, duke filluar nga kujdesi primar, të cilin e shpalli si më të sukssshmin e vitit, pastaj në arsim, bujqësi, zhvillim ekonomik, administrate, urbanizëm, e shërbime publike.
Haziri tha se Komuna e Gjilanit mban rekordin sa i përket numrit të madh të tubimeve publike, dëgjimeve buxhetore e konsultimeve.
“28 takime publike janë realizuar në vitin 2016. Besoj që jemi Komuna rekorde për organizim të një numri kaq të madh të debateve dhe tranparencës që e kemi imponuar” , tha ai.
Si projekt tejet të rëndësishëm, kryetari Haziri ka përmendur ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme përmes PPP, duke thënë se për herë të parë në një hapësirë publike është vendosur një rregull ku nuk përdoret alkooli dhe duhani.
Ai ka informuar se mbi 5000 qytetarë kanë kontaktuar zyrat e Komunës përmes formave të ndryshme, ndërsa shtoi se “jemi Komuna që e kemi realizuar buxhetin qind për qind dhe presim tejkalime që është një besim tjetër i qytetarëve”, tha kreu i Gjilanit.
Kryetari i Gjilanit ka theksuar se mandatin e kishte marrë me mbi 9 milionë euro borxhe ndaj operatorëve, përderisa tha se Gjilanin, viti 2017 e gjen pa borxhe ndaj operatorëve dhe me 29 milionë euro investime publike.
“Ne mandatin e kemi marrë me 3.8 milionë euro investime të planifikuara dhe me 9 milionë euro borxhe. Tash jemi komunë që nuk kemi borxhe operatorëve, përveç atyre kontigjente. Gjilanin, viti 2017 e gjen pa borxhe ndaj operatorëve dhe me 29 milionë euro investime publike, kryesisht në infrastrukturë, që janë investimet më të mëdha pas luftës, ku përfshihet stadiumi qytetit, palestra në Zhegës, përfundimi i lumit “Mirusha” dhe fillimi lumit “Stanishorka”, tri hyrje-daljet e qytetit, varrezat e qytetit, varrezat e martirëve në Llashticë dhe investimet në çdo cep, qytet e fshat”, ka thënë Haziri.