Gjilani nderon ish-ambasadorin Walker

Gjilani

Gjilani nderon ish-ambasadorin Walker

Më: 16 janar 2017 Në ora: 14:22
Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin William Walker.

Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin William Walker. Këtë çmim, në një seancë solemne të Kuvendit, ambasadorit Walker ia ka dorëzuar sot kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.

Ish-ambasadori Walker, pasi e ka pranuar titullin “Qytetar Nderi” nga kryetari Lutfi Haziri, është shprehur i impresionuar nga puna e përbashkët e subjekteve politike në Gjilan, si dhe përfaqësimi i gruas në vendimmarrje, që më herët nuk ka qenë kështu.

‘Përvoja ime e parë në Kosovë, ka qenë kryesisht takime me burra, ndërsa tani më shumë bie në dukje roli i femrës në politikë dhe vendimmarrje”, ka thënë Walker.     

Ai ka thënë se në Kosovë ka edhe ndryshime tjera shumë të mëdha në krahasim me vitin 1999, ndërkohë që i ftoi të gjitha partitë politike që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit të tyre.

Duke rikujtuar masakrën e Reçakut, ish-ambasadori Walker tha se kur erdhëm në Kosovë, në vitin 1999, misioni ynë ishte neutral, por unë shumë shpejt e pashë se këtu nuk bëhej fjalë për neutralitet.

“Ngjarjet në terren treguan se këtu, një qeveri me forca policore, ushtarake, paramilitare e me sisteme të sigurisë, po luftonte kundër një populli të pambrojtur”.

Walker tha se me pavarësimin e vendit, shqiptarët dëshmuan se mund ta marrin në dorë shtetin dhe nënvizoi se personalisht është dhe do të mbetet një mik emocional me këtë popull.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri me këtë rast ka thënë se Komuna e Gjilanit nderoi njërin prej njerëzve, i cili i dha shpresë të ardhmes, në kohën kur rezistohej e luftohej me armë kundër pushtuesit dhe punohej kolektivisht për të arritur lirinë.

Haziri theksoi se ambasadori Walker i dha shpresë çdo luftëtari, çdo familje, çdo të burgosuri e çdo individi dhe e falënderoi atë për kontributin që ka dhënë që të fitohej liria kolektive dhe që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.

“Ndihemi krenarë që sot, në kuadër të këtij viti,  ky njeri i cili është angazhuar për Kosovën në të gjitha misionet e tij, është me ne”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se Walker është njeriu që si ambasador, si diplomat, si përfaqësues i një shteti të fuqishëm, kudo ka punuar për interesa të njeriut dhe mbijetesës së tij.       

Duke ri-sjellë një kujtim të asaj kohe, Haziri nënvizoi faktin se në atë periudhë kishte qenë në burg, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë dhe se nuk kishte mundur të informohej për ardhjen në Kosovë të misionit monitorues të OSBE-së dhe ambasadorit William Walkerin, por vetëm e dinin se këtu po bëhej luftë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat