KKSB dënon rastin e paraqitjes së grafiteve fyese në disa murale në Gjilan

Gjilani

KKSB dënon rastin e paraqitjes së grafiteve fyese në disa murale në Gjilan

Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 15:31
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në mbledhjen e jashtzakonshme

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në mbledhjen e jashtzakonshme të mbajtur sot lidhur me paraqitjen e grafiteve, në muralet publike rreth datave 14 dhe 15 shkurt, dhe me këtë rast është dënuar njëzëri, akte të tilla të cilat janë në kundërshtim me tolerancën fetare, etnike, gjinore apo tjetër të cilat mund ta prishin imazhin e mirë të krijuar prej vitesh në Komunën e Gjilanit. 
Kryesuesi i KKSB-së, Halit Rexhepi, pasi ka hapur mbledhjen e jashtzakonshme në emër të të gjithë anëtarëve ka dënuar rastin e grafiteve fyese ndaj qytetarëve serb të Komunës së Gjilanit dhe njëkohësisht ka kërkuar që të ruhet bashkëpunimi dhe tolerance e krijuar tashmë tradicionalisht mes raporteve të shëndosha, fetare etnike apo racore tek të gjithë qytetarët e Gjilanit, dhe njëkohësisht ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën e bërë. 
 
Ndërsa, komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, major Remzi Azemi, ka thënë se me rastin në fjalë Policia e Kosovës është marrë me prioritet dhe pas intervistimit të 25 personave, me ndihmën dhe informatat nga terreni, është arritur që të arrestohet i dyshuari në fjalë në një periudhë prej më pak se 72 orëve nga paraqitja e rastit. 
 
“Policia e Kosovës me prioritet është marrë me hulumtimin e rastit të paraqitjes së grafiteve fyese për komunitetin serb dhe në një afat prej më pak se 72 orëve kur ka ndodhur rasti, është bërë arrestimi i të dyshuarit për këtë vepër. Policia e Kosovës ka intervistuar 25 persona, ndërsa i arrestuar është vetëm një person, që kapja e tij është ndihmuar nga informatat nga terreni. Ky siç ka thënë majori Azemi, sipas deklaratave të para më tepër i ngjanë një rasti vandal, sepse sipas deklarimeve të të dyshuarit këto grafite të paraqitura nuk kanë qëllim të fyrjeve etnike, racore apo fetare, por me tepër janë një kundërpërgjigje për një grup tifozësh serb, dhe është krejtë në një rrafsh tjetër”, ka thënë mes tjerash majori Azemi. 
 
Ai ka kërkuar që marrëdhëniet ndëretnike, bashkëpunimi me institucionet e shtetit dhe stabiliteti që tashmë është krijuar në Komunën e Gjilanit të vazhdoj edhe më tutje sepse qetësia publike dhe liria në përgjithësi janë bazat e një shoqërie demokratike. 
 
Edhe anëtarët e tjetër të KKSB-së i kanë dhënë mbështetje punës së policisë dhe kanë kërkuar që raste të tilla më të mos përsëriten, duke ftuar të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit për bashkëpunim edhe në të ardhmen. 
 
Komuna e Gjilanit, organet komunale, Policia e Kosovës, bashkësitë fetare, shoqëria civile, ftojnë qytetarët të vazhdojnë promovimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike e ndërfetare, sepse Gjilani është një komunë model për jetën shoqërore të ndërtuar, kulturën dhe tolerancën fetare e etnike, duke mos u paraqitur prej vitesh asnjë konflikt si pasoj e akteve kriminale me prapavi etnike, fetare, apo racore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat