Haziri: Mësuesit janë njerëzit më të dashur për ne

Gjilani

Haziri: Mësuesit janë njerëzit më të dashur për ne

Më: 7 mars 2017 Në ora: 13:37
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri mori pjesë në manifestimin kushtuar 7 Marsit - Ditës së Mësuesit

Në organizim të Drejtorisë Komunale e Arsimit, në Gjilan është mbajtur sot një manifestim kushtuar 7 Marsit - Ditës së Mësuesit, ku kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtoresha e DKA-së, Shqipe Kastrati si dhe arsimtarë e veteranë të shumtë të arsimit.

Sipas komunikatës për media nga komuna e Gjilanit, në fjalën e tij të rastit për këtë ditë, Haziri, ka thënë se mësuesit janë shtylla kryesore e një shteti dhe e ardhmja më e sigurt e një vendi. Arsimi është ai që krijon e që ndërton personalitete e autoritete, njerëz e kapital njerëzor që është faktori kryesor i çdo gjëje që arrin një popull.  

Për më tepër, Haziri ka thënë se e ardhmja e një fëmijë varet nga dy njerëz në botë, nga nëna në shtëpi dhe nga mësuesi në shkollë. Të dy këta kanë ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e karakterit dhe personalitetit të një fëmije.   

 “Për t`i përkrahur nxënësit e suksesshëm, ne kemi krijuar edhe Fondin e Ekselencës, i cili do të jetë mbështetje e madhe për talentet e reja, në të gjitha kategoritë”, ka thënë Haziri. 

Ndërkaq, Shqipe Kastrati, drejtoreshë e Arsimit, duke i bërë një vështrim rrugës së gjatë të shkollës shqipe, ka thënë se mësuesit tanë kanë kaluar nëpër sfida të shumta, por gjithmonë kanë dalë fitues. 

Për nder të këtij përvjetori të shkollës shqipe, Komuna e Gjilanit ka nderuar me mirënjohje të gjithë mësuesit e pensionuar gjatë një viti, përfshirë edhe drejtorin e Arsimit, Nazmi Musa, të cilit mirënjohjen ia ka dorëzuar kryetari Lutfi Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat