Kuvendarët e Gjilanit miratuan raportin financiar

Gjilani

Kuvendarët e Gjilanit miratuan raportin financiar

Më: 30 mars 2017 Në ora: 15:54
Gjilan, Kuvendi Komunal

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në seancën e tretë për këtë vit, ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-dhjetor 2016, , ndërkaq atë për subvencionim të aktiviteteve të Qendrës për kujdesin ditor “Pema” e ka shtyrë për seancën e radhës, për t`i përfshirë kërkesat edhe të shoqatave tjera.

Gjatë kësaj seance janë miratuar edhe vendimi për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pa shpenzuara të viteve 2015 e 2016, në vitin fiskal 2017, vendimin për rritjen e buxhetit nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara në vitin 2016, Strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-2021, vendimin për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore në Teatrin e Gjilanit.

Pozita dhe opozita kanë mbajtur qëndrime të ndryshme rreth këtyre pikave, pos te fjalësi i emrave dhe subvencionet për teatër, ku ata i kanë bashkuar votat.

Kuvendi ka shqyrtuar dhe miratuar edhe strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-20121, që parasheh realizimin e 90 projekteve të ndryshme gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare.

Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka miratuar edhe fjalësin e emrave të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, të cilin e kishte shqyrtuar në janar, por e kishte shtyrë për disa ditë, për t`i lënë kohë komisionit që t`i shqyrtojë edhe disa propozime të tjera, të cilat u dhanë nga këshilltarët.

Po ashtu, është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore në teatër, në vlerë prej 22.416 euro. Shpresa Kurteshi (LDK) ka thënë se kërkesa është përkrahur në Komitetin përkatës dhe ka sqaruar se nga kjo shumë, 19 mijë euro janë të planifikuara për pagat e stafit teknik, ndërsa pjesa tjetër, për pajisje dhe shërbime tjera në teatër. 

Njëherësh, Kuvendi Komunal ka marrë sërish vendim për përjashtimin nga seanca të anëtarit të tij, Srgjan Mitroviq, për shkak se ai nuk ka ofruar dëshmi të vlefshme që është tërhequr nga strukturat paralele, ku është emëruar para disa kohësh.     

Përndryshe, në pjesën e debatit jashtë rendit të ditës, Sahit Abazi (PDK) ka kërkuar sqarime për shfrytëzimin e deritashëm të disa objekteve komunale, për të cilat tani është shpallur ankand publik si dhe për shkollën e Artit Pamor, ku nuk është shpallur konkursi për drejtor prej një viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat