Hungarezët ofrojnë përvojën e tyre në kultivimin e vishnjës për fermerët e Gjilanit

Gjilani

Hungarezët ofrojnë përvojën e tyre në kultivimin e vishnjës për fermerët e Gjilanit

Më: 5 prill 2017 Në ora: 14:42
Promovimi i programi i teknologjisë moderne hungareze për kultivimin e vishnjës, në fshatin Gumnishtë të Gjilanit.

Në kuadër të përpjekjeve për ndihmesën e bujqësisë, të mërkurën është promovuar programi i teknologjisë moderne hungareze për kultivimin e vishnjës, në fshatin Gumnishtë të Gjilanit.

Në këtë promovim morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, USAID-it, Ambasadës hungareze, përfaqësues të kompanive hungareze, të cilat merren me kultivimin e vishnjës, si dhe fermerë të shumtë nga Gjilani dhe regjioni.

Drejtori për Bujqësi, Ramiz Ramadani, ka thënë se Gjilani ofron kushte të mira për pemëtari, por me sipërfaqen e tashme prej 293 hektarësh me mollë, kumbulla, vishnje, dardhë dhe pemë të tjera, nuk i plotëson ende as nevojat e veta.

Falë programit të USAID-it për bujqësi, Ambasadës Hungareze dhe partnerit strategjik “Kalabria” këto ditë po mbjellim 50 hektarë me vishnje në Gjilan, përkatësisht 100 hektarë në Anamoravë, ndërkohë që sipas Ramadanit synohet që në vitet e ardhshme, kjo sipërfaqe të zgjerohet deri në 1000 hektarë.

Ai e ka vlerësuar tepër të rëndësishëm ndihmën e donatorëve në programin për kultivimin e vishnjës, sikurse edhe shkëmbimin e përvojave mes kompanive hungareze dhe atyre të Gjilanit, të  cilat merren me pemëtari.

Përfaqësuesi i USAID-it, Mark Wood, drejtor i Programit për Bujqësi, ka thënë se përfituese janë katër komuna të Anamoravës, ku do të ngritën 100 hektarë me vishnje, të dedikuar për eksport në tregjet e BE-së.

Tomas Gergely, përfaqësues për ekonomi në Ambasadën Hungareze, tha se janë të gatshëm të ndihmojnë edhe në të ardhmen këtë sektor mjaft konkurrues në Kosovë.

Ndërkaq, Vezir Jonuzi, zëvendësministër i Bujqësisë, ka thënë se komuna e Gjilanit është një shembull i mirë sa i përket kultivimit të pemëve, prandaj meriton mbështetje në zhvillimin e këtij sektori.

Ndryshe, në plantacionin “Kodra e Diellit” në fshatin Gumnishtë, është bërë edhe prezantimi i teknologjive bashkëkohore në kultivimin e vishnjës, nga përfaqësues të disa kompanive të njohura në Hungari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat