Gjykimi i Qemajl Mustafës 38 të tjerëve në sallën e Asamblesë

Gjilani

Gjykimi i Qemajl Mustafës 38 të tjerëve në sallën e Asamblesë

Më: 19 prill 2017 Në ora: 19:00
Gjykimi i Qemajl Mustafës

Ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa doli sot para gjyqit nën akuzën për shpërdorim detyre. Sa ishte kryetar i Gjilanit në periudhën 2008-2013, Qemajl Mustafa sallën e asamblesë së kësaj komune e kishte shfrytëzuar për prezantim të projekteve dhe debat me opozitën. Katër vjet më vonë, Mustafa në një sallë asambleje bashkë me 38 persona tjerë doli para gjyqit nën akuzat që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion.

Seanca fillestare e gjykimit të Mustafës dhe të tjerëve, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe avokatëve të tyre u zhvillua në sallën e Asamblesë së Pejës.

Ismet Shufta, avokati i Qemajl Mustafës tha në gjykatë se i mungojnë disa prova të lëndës.

“Është aktvendimi për fillimin e hetimeve dhe sidomos aktvendimi për angazhimin e ekspertit dhe ekspertiza ose raportit të ekspertit të fushës së prokurimit”, tha Shufta.

Edhe Shemsedin Piraj, avokati i të akuzuarës Hatixhe Daku tha se prokuroria nuk ia ka dhënë provat e përgjimit të telefonatave që janë pjesë e aktakuzës.

Piraj kërkoi që në prova të saktësohet cilët telefona janë përgjuar.

Aktvendimin për fillim të hetimeve tha se nuk e ka marrë në shkesa të lëndës nga prokuroria as Valon Hasani avokati i Selver Xhelilit.

Por prokurori special Agron Bajrami tha se të gjitha provat ua ka dorëzuar ose të pandehurve, ose avokatëve të tyre.

“Të gjithë tani të pandehurve apo mbrojtësve të tyre u janë dorëzuar të gjitha provat apo shkesat e rastit me të cilat disponojmë ne si prokurori, e të cilat i janë dorëzuar edhe gjykatës. Për me tepër për secilin prej tyre posedojmë edhe dëftesat e dorëzimit të rastit e të cilat janë të nënshkruara nga avokatet apo vetë të pandehurit”, tha prokurori.

Por seanca u shty nga gjyqtari Sylë Lokaj, ngase vetëm 11 të akuzuar kishin avokatë, ndërsa të tjerët kërkuan të mbrohen sipas detyrës zyrtare për shkak të kushteve financiare në të cilat ndodhen.

Lokaj obligoi prokurorin që t’ua sigurojë të gjithë të akuzuarve dhe avokatëve të tyre shkresat e lëndës.

Seanca u shty për datën 22 maj.

Në këtë proces gjyqësor përveç Qemajl Mustafës, të akuzuar janë edhe Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Agim Hoxha, Behar Mehmeti, Drita Kajtazi, Fadil Osmani, Fatmir Halili, Ganimete Kastrati, Hamdi Ismaili, Hesat Mahmuti, Ibrahim Foniqi, Ilaz Rashiti, Merita Shabani, Muhamet Kastrati, Musa Nasufi, Qefsere Limoni, Selvie Mustafa, Ramush Musliu, Shemdesin Qerimi, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Nazmi Jashari, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani,  Azem Mujku, Zeqirja Fazliu, Basri Kqiku, Mjedin Ahmeti, Naser Mehmeti, Burim Govori, Florim Zuka, Avdyl Pireva, Skender Imeri, Rrustem Hajdari, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.

Aktakuza ndaj Mustafës dhe të tjerëve u ngrit në shtator të vitit të kaluar. Tetë nga të akuzuarit janë zyrtarë të Komunës së Gjilanit, ndërsa 10 të akuzuar tjerë janë pronarë apo përfaqësues të disa operatorëve ekonomikë.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ose duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit në Komunën e Gjilanit.

Sipas provave të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari Qemajl Mustafa ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat