Gjilani përuron shtëpinë e radhës për familjen e Ylfete Rafunës

Gjilani

Gjilani përuron shtëpinë e radhës për familjen e Ylfete Rafunës

Më: 25 prill 2017 Në ora: 15:53
Gjilani përuron shtëpinë për familjen e Ylfete Rafunës

Në Livoç të Gjilanit, të martën u përurua shtëpia e radhës për kryefamiljaren e Ylfete Rafuna dhe tre fëmijëve të saj, e ndërtuar nga Forumi i Grave Shqiptare në Botë, me qendër në Suedi, në kuadër të mbrëmjes humanitare “Pak nga ne shumë për ata”.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se Komuna e Gjilanit duke falënderuar shpirtin e madh të donatorëve si brenda ashtu edhe nga mërgata shqiptare nëpër botë, ka ndërtuar shtëpi dhe ndihmuar numër jashtëzakonisht të madh të familjeve në nevojë.

Ajo ka thënë se falë nismës së kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, me organizimin e gala mbrëmjes humanitare në vitin 2014, është arritur që në Gjilan tashmë të inaugurohen 45 shtëpi dhe njëkohësisht gjatë ditës së nesërme do të nisë shtëpia e radhës po ashtu me mbështetjen e donatorëve.

Afërdita Krasniqi, përfaqësuese e Forumit të Gruas Shqiptare në Botë, me seli në Suedi, ka thënë se të ndihmosh dikë është një ndjenjë e papërshkrueshme dhe gjithnjë shtytëse për ndihmën tjetër në familje tjera.

“Ne gjatë ditëve në vijim do të nisim edhe një shtëpi tjetër për një familje tjetër në Kosovë dhe do të vazhdojmë me misionin tonë për mbështetjen e familjeve në nevojë në fusha të ndryshme, si në ndërtim të shtëpive, po ashtu edhe në mbështetje për shërim jashtë vendit”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana e tij, Milaim Jashari, nga shoqata Feniks, ka thënë se gjithnjë do të jetë bashkëpunëtore dhe mbështetëse përmes donatorëve familje të ndryshme në vend, duke potencuar se kjo shtëpi është e 199-ta me radhë në nivel të Kosovës që ndërtohet edhe me angazhimin e shoqatës.

Kurse, Ylfete Rafuna, derisa mbante afër tre fëmijët e saj në këtë moment të veçantë, ka thënë se asnjëherë nuk do të arrijë gjatë jetës së saj që ta përshkruajë këtë ndjenjë gëzimi që ka përjetuar me zgjidhjen e problemit të banimit, për fëmijët e saj duke spikatur faktin që më nuk do të bredhë rrugëve dhe shtëpive të huaja, por do të ketë shtëpinë e vet. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat