Gjilani shpërndan sistemin e ujitjes për 50 hektarë me vishnje

Gjilani

Gjilani shpërndan sistemin e ujitjes për 50 hektarë me vishnje

Më: 8 gusht 2017 Në ora: 16:14
Gjate shperndarjes se sistemit te ujitjes

Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë i komunës së Gjilanit, Ramiz Ramadani, tha se sistemi i ujitjes që po ndahet sot i dedikohet 50 hektarëve sipërfaqe të mbjella këtë vit me kulturën e vishnjës dhe potencoi gatishmërinë për shtimin e sipërfaqeve me vishnje deri në një mijë hektarë brenda 4-5 vjetësh.

Ai ka bërë të ditur se kjo fazë është përmbyllja e këtij projekti i cili është mbështetur nga programi “Agro” i organizatës USAID dhe partneritetit me kompaninë “Calabria” e cila ka kontraktuar grumbullimin e tërësishëm të rendimenteve të vishnjës për 15 vitet e ardhshme.

“Deri më tani në Gjilan kishim të kultivuara mbi 300 hektarë me sistem intensiv dhe gjysmë intensiv të ujitjes, ndërsa këtë vit kësaj hapësire ia kemi bashkangjitur edhe 50 hektar të tjera me kulturën e vishnjës. Ne jemi duke punuar me partnerin ShPK “Calabria”, por edhe përmes përpunuesve të tjerë, që të rregullojmë tregun, të ndikojmë në ngritjen e levërdisë për fermerët, me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve. Vlera e projektit të sotëm është 17 mijë e 500 euro”, tha Ramadani.

Ai ka shprehur gatishmërinë për shtimin e sipërfaqeve me vishnje në kuadër të planifikimit afatgjatë deri në një mijë hektarë brenda 4-5 vjetësh.

Në emër të programit “Agro” të USAID-it ka folur Maxhun Shehu, i cili ka kërkuar instalimin sa më të shpejtë të këtij sistemi dhe futjen në përdorim të tij, ndërsa nga kompania “Calabria”, ka folur Xhelal Selimi, i cili ka thënë se bashkëpunimi me fermerët gjatë të ardhmes do të jetë i vazhdueshëm.

Albert Gjyrishevci, fermer nga fshati Përlepnicë, pohoi se përpos blegtorisë dhe bujqësisë me të cilën merret prej vitesh, një kujdes të veçantë është duke i kushtuar kultivimit të kulturës së vishnjës, pasi siç tha ai, kjo është një mbështetje shumë e madhe që i është dhënë nga Komuna e Gjilanit, USAID-i dhe kompania “Calabria”.

“Falë tre akterëve kryesorë të përfshirë në këtë projekt, personalisht kam përfituar në ngritjen e një hektari të ri me kulturë të vishnjës. Jemi të bindur se ky investim është me shumë leverdi, sepse po krijohet punësimi në tokën time. Sistemi i ujitjes na ndihmon shumë në punën tonë dhe rrit rendimentet e prodhimit në një përqindje jashtëzakonisht të madhe”, ka thënë Gjyrishevci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat