Haziri: Kundërkandidatët janë joseriozë, Gjilanin e kanë kartë rezervë

Gjilani

Haziri: Kundërkandidatët janë joseriozë, Gjilanin e kanë kartë rezervë

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 18:36
Lutfi Haziri

Kryetari i Gjilanit, kandidat edhe për një mandat tjetër, Lutfi Haziri, ka thënë se kandidatët tjerë nuk paraqesin konkurrencë serioze sepse kanë poste tjera në institucione shtetërore, ndaj këtë kandidaturë e kanë rezervë.

“Unë kam vendosur të rikandidoj për kryetar komune në mënyrë që t’i realizoj projektet që më kanë mbetur. Nuk kam dashur të kandidoj për ndonjë pozitë tjetër. Ndërsa, kandidatët tjerë, kanë kartën e deputetit, apo të ministrit, dhe kandidaturën për kryetar komune e kanë rezervë, ndaj nuk mund të jenë seriozë”.

Ai ka shpalosur planin e tij për katër vjetët e mandatit që synon, duke nisur dhe ndërlidhur ato me punët që ka bërë në mandatin paraprak, me theks në infrastrukturë, arsim dhe mirëqenie sociale.

“Po punojmë që në një rreze prej 2.5 kilometrash, në qendër të qytetit, ta ndërtojmë sheshin e qytetit. Shëtitorja është duke u ndërtuar, ndërsa sheshi i ri është pjesë e planit”.

“Sa i përket arsimit, ai merr pjesën më të madhe të buxhetit. Kemi ndërtuar disa shkolla, si dhe çerdhen më të madhe në regjion – do t’i ndërtojmë edhe dy sish. Jemi në proces të normalizimit të procesit edukativ-arsimor, ndërsa kemi përfunduar ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme”.

“Kemi ndërtuar 45 shtëpi me fonde humanitare dhe buxhet komunal. Të gjitha paratë që janë kursyer nga shpenzimet e ndryshme i kam çuar në ndërtimin e shtëpive dhe pagesën e 42 qirave. Do të vazhdojmë edhe në ndërtimin e 42 shtëpive tjera, në mënyrë që të mos kemi më familje pa kulm mbi kokë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat