Paradoksi i Gjilanit- shkolla të zbrazëta, shkolla të mbingarkuara

Gjilani

Paradoksi i Gjilanit- shkolla të zbrazëta, shkolla të mbingarkuara

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 12:31
Gjilan

A do të arrijë t’i zgjidhë të gjitha këto probleme kryetari i ardhshëm i Gjilanit?

Komuna e Gjilanit i cili ka rreth 90 mijë banorë pritet të qeveriset nga njëri prej gjashtë kandidatëve të cilët i kanë hyrë garës për të parin e qytetit. Problemet e shkollave me tre ndërrime, mbeturinat dhe deponitë e ujërave të zeza, brenda dhe jashtë qytetit, mungesa e trotuareve pritet të jenë ndër sfidat me të cilat do të përballet kryetari i ardhshëm i Gjilanit.

Radha e problemeve në qendrën e Anamoravës nuk përfundon këtu, pasi në qendrën për punë sociale janë të regjistruar 5 mijë njerëz të papunë  e në rrugën “Abdullah Presheva” në Gjilan, komuniteti rom po rrezikohet nga shtëpitë gjysmë të rrënuara e të mbushura me bërllok.

As shëndetësia nuk është fushë me lule, pasi që mungesa e barnave esenciale është evidente edhe në Gjilan. E nga ana tjetër, 60 punonjës të angazhuar si mjek dhe teknik medicinal në projektin e Caritas-it qe pesë muaj nuk i kanë marrë rrogat.

Mësimi me tre ndërrime sfidë për Gjilanin

Në Gjilan ndodh diçka jo e zakonshme. Shkollat në qytet punojnë me nga tri ndërrime ndërsa komuna nuk e shfrytëzon një objekt modern të shkollës bujqësore në lagjen “Arbëria”, përurimi i së cilës është bërë në shtator të vitit 2013. Investimi prej 1.1 milion euro i realizuar në bashkëpunim me DANIDA-n ka mbetur i pashfrytëzuar pasi Drejtoria e Arsimit nuk ka arritur t’i inkurajojë nxënësit që të zgjedhin këto drejtime profesionale.

Në anën tjetër, Shkolla e Mesme e Ekonomisë dhe ajo e Mjekësisë vijojnë mësimin në të njëjtin objekt, si rrjedhojë e kësaj ata zhvillojnë mësimin në tre ndërrime dhe mbajnë orën nga 30 minuta.

Shkolla ka të zbrazëta, por jo edhe salla të edukatës fizike. Nga 29 shkolla sa janë në komunën e Gjilanit, 19 prej tyre nuk kanë salla të edukatës fizike, kështu që nxënësit në stinën e dimrit detyrohen të mbajnë orën mësimore në klasë.

Kutërbimi nga mbeturinat dhe ujërat e zeza

Trajtimi i ujërave të zeza dhe deponive ilegale janë vazhdimësi e problemeve nga qeverisja e kaluar. Në qendër të Gjilanit ka kutërbim, ndërsa gjendja edhe më e keqe është nëpër fshatra. Gjilani hiç më mirë nuk qëndron edhe me mbeturinat, të cilat janë të hedhura në disa pjesë të qytetit dhe nëpër fshatra.

Deponi të mbeturinave ka përballë shkollës së mesme të Bujqësisë në lagjen Arbëria. Mbeturina ka edhe jashtë deponisë kryesore të qytetit në fshatin Velekincë ku kompania për pastrimin e mbeturinave i grumbullon ato.  Rreth 250 metra rrugë para hyrjes së saj, në të dyja anët është e mbushur me mbeturina të lloj llojshme.

Image
Mbeturinat para Deponisë Rajonale të Mbeturinave

Në rrugën e “Prishtinës” kalon lumi Mirusha që kutërbon vazhdimisht për shkak të ujërave të zeza. Anës lumit është një çerdhe publike, fëmijët e së cilës çdo ditë përballen me erën e rëndë si pasojë e kutërbimit.

Fshatrat, Kufcë e Poshtme, Malishevë, Velekincë, Livoq i Epërm, Livoq i Poshtëm, Zhegër, lagjja Arbëria, lagjja Baleci, një pjesë e rrugës së “Prishtinës” në Gjilan kanë probleme të theksuara me ujëra të zeza.

Në disa pjesë të lagjes Arbëria ujërat e zeza kalojnë në mes të shtëpive. Banorët e kësaj lagje i kanë thënë KALLXO.com se është e pamundur të qëndrojnë mbrëmjeve në oborret e tyre prej erës së rëndë.

Një bibliotekë shërben për të mbajtur në të tituj të librave, por në bibliotekën e fshatit Malishevë, kanë zënë vend mbeturina të lloj-llojshme.

Image
Mbeturinat afër bibliotekës në fshatin Malishevë

Parkingjet, problem në zonën urbane

Qyteti i Gjilanit ka lëshuar 60 leje ndërtimore për pesë vjet dhe ka arkëtuar nga këto leje mbi 3 milionë euro. Por, në qytet ende ka telashe me mungesë të trotuareve dhe parkingjeve, madje edhe në afërsi të qytetit ka rrugë shumë të dëmtuara.

Rruga prej 1.5 kilometra që kalon në mes të fshatit Livoq, tek lagjja e Muhaxherëve e cila e lidh edhe fshatin Cernicë me Gjilanin është e shtruar me asfalt në vitet 1980 dhe tash e sa vjet asfalti është shumë i dëmtuar. Nga dëmtimi i kësaj rruge preken shumë familje, por edhe disa biznese prodhuese që gjenden në këtë anë.

Image
Rruga me gropa tek Lagja e Muhaxherëve

Shtrimi i rrugës që e lidhë fshatin Dobërçan me atë Bukovik sipas banorëve është premtuar që nga viti 2002, por nuk është përfunduar asnjëherë. Banorët thonë se kjo është njëra ndër arsyet pse njerëzit janë shpërngulur nga fshati Bukovik. Vit pas viti është duke u zvogëluar numri i nxënësve të fshatit Bukovik të cilët zhvillojnë mësimin si paralele e ndarë në shkollën fillore në fshatin Dobërçan.

Image
Rruga e pashtruar Dobërçan – Bukovik

Problemi i parkingjeve është jashtëzakonisht i madh sidomos në pjesën urbane. Pasojë e kësaj dukurie është numri i madh i automjeteve, mungesa e hapësirave publike, korridoreve të ngushta të rrugëve ku pamundësohet ndërtimi i tyre, zhvillime të pakontrolluara përgjatë rrugës ku pamundësojnë zgjerimin e tyre edhe pse është shumë e nevojshme.

Në fshatin Livoq të Epërm është një urë e ngushtë në të cilën mund të kalojë vetëm një veturë por që nuk ka as mbrojtëse. Kjo paraqet rrezik më së shumti për fëmijët që duhet të kalojnë çdo ditë sipër saj por edhe për veturat që janë në lëvizje.

Image
Ura pa mbrojtëse në fshatin Livoq i Epërm

Gjilani që krehnohet me derbin lokal në futboll, që prej shumë sportdashësve cilësohet ndeshja më e rëndësishme në futbollin kosovar, nuk ka një stadium që i përmbush kushtet e nevojshme për organizmin e një ndeshje. Në shkallët e stadiumit, nuk është investuar që nga paslufta. E as në dyert e stadiumit të cilat janë të rrezikshme, sidomos kur numri i tifozëve është i madh.

Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale

Me 90 mijë banorë qyteti i Gjilanit ka të regjistruar mbi 5 mijë njerëz të cilët kanë kërkuar punë në qendrën për punë sociale. Në rrugën “Abdullah Presheva” të Gjilanit komuniteti rom po rrezikohet nga shtëpitë gjysmë të rrënuara e të mbushura me bërllok. Ekipi i Kallxo e ka vizituar këtë lagje dhe ka parë shtëpitë që janë gjysmë të rrëzuara, të pabanuara dhe të mbushura me bërllok. Banorët e kësaj lagje të cilët nuk e paguajnë bërllokun te kompania e pastrimit “EcoHigjiena” në Gjilan e hedhin bërllokun nëpër këto shtëpi.

Image
Objektet gjysmë të rrënuara në rrugën ‘Abdullah Presheva’

Mungesa e barnave esenciale është problem me të cilin përballen qytetarët, sa herë që kanë nevojë për trajtim nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare të qytetit të Gjilanit.

Problem i theksuar në sektorin e shëndetësisë në Gjilan është edhe fati i 60 punonjësve të angazhuar si mjek dhe teknik medicinal në projektin e Caritas-it, të cilët për të gjashtin muaj me radhë nuk janë paguar.

Vjetërsia 50 vjeçare e gypave të ujit

Gjilani ka sistem të ujësjellësit por ai nuk garanton që të gjithë qytetarët të furnizohen me ujë. Probleme me furnizim të rregullt të ujit kanë banorët e lagjes “Arbëria” dhe “Kodra e Dëshmorëve” në Gjilan. Një ndër arsyet që qytetarët e Gjilanit kanë problem për furnizim të rregullt me ujë të pijshëm janë gypat me kapacitet të ulët të cilët e transportojnë ujin nga fabrika e ujit në Përlepnicë deri në Gjilan. Poashtu gypat e amortizuar për shkak edhe të vjetërsisë afër 50 vjeçare dhe ndërtimi i tyre nga materiali i azbest cimentos.

Gypave të ujit që janë paraparë për t’i furnizuar me ujë të pijshëm banorët e fshatit Livoq i Epërm u është ndërruar kahja në pranverën e këtij viti. Tashmë ata janë dërguar në Qendrën e Paraburgimit të Gjilanit i cili është ndërtuar në Pasjak, fshat i cili është në territorin e komunës së Novobërdës.

Projekti i Ujësjellësit në fshatin Livoq të Epërm ka kushtuar rreth 200 mijë euro. Ai ka përfunduar në vitin 2003 me bashkëfinancim të OXFAM 50%, komunës së Gjilanit 25% dhe banorëve të fshatit të cilët kanë kontribuar me 25%. Edhe përkundër këtij kontributi banorët e Livoqit të Epërm vazhdojnë të mos furnizohen me ujë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat