PDK akuzon LDK-në për trysni mbi votuesit në Gjilan

Gjilani

PDK akuzon LDK-në për trysni mbi votuesit në Gjilan

Më: 22 tetor 2017 Në ora: 12:00
Llashtice

Partia Demokratike e Kosovës reagon ashpër ndaj parregullsive të shumta që po ndodhin në Gjilan nga aktivistë dhe komisionarët e LDK-së, të cilët, sipas kësaj partie, që nga orët e para të procesit zgjedhor po bëjnë trysni te qytetarët për të ndikuar në votimin e tyre.

Në qendrën e votimit në shkollën fillore “Thimi Mitko” në vendvotimin numër 401X/20R kanë votuar 48 qytetarë ndërsa janë përdorur 50 fletëvotime, ku 2 prej tyre janë zhdukur dhe nuk janë të evidentuara si fletëvotime të dëmtuara. Në këtë vendvotim kryesuesi është nga radhët e LDK-së.

Në fshatin Llashticë LDK-ja e ka shndërruar zyrën e Bashkësisë Lokale në shtab zgjedhor të tyre, e cila gjendet pranë qendrës së votimit, duke i bërë presion qytetarëve për të votuar kandidatin e LDK-së për kryetar të Gjilanit dhe për kandidatët për asamble komunale, thuhet në reagimin e PDK-së.

Po ashtu edhe në fshatin Livoq i ulët, aktivistë të LDK-së po e pengojnë qytetarin që lirshëm t’i drejtohet qendrës së votimit, sepse po ndalohen që të gjithë nga militantët e subjektit të LDK-së.

PDK i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Gjilanit, që të mos bien pre e presionit të pushtetit, ndërsa ka paraqitur ankesat pranë Komisionit Komunal Zgjedhor, duke kërkuar që të merren masat ndaj këtyre parregullsive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat