Kthehet buxheti për autostradën e Gjilanit

Gjilani

Kthehet buxheti për autostradën e Gjilanit

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 22:29
Ilustrim

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka rikthyer buxhetin për ndërtimin e autostradës Prishtinë -Gjilan në vlerë prej 1 milion e 800 mijë euro. Kjo u bë e ditur të hënën në mbledhjen e rregullt të Komisionit për Buxhet të cilët miratuan raportin me amandamente për projektligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Buxhetin e Kosovës.

Kallxo ka siguruar këtë raport në të cilën shihet që Komisioni për Buxhet dhe Financa ka rikthyer buxhetin e disa prej çështjeve të cilat ishin diskutuar në Kuvend të Kosovës në lexim të parë.

“Nën-programi “Ndërtimi i Autostradave”, me kod 42200, në tabelën 3.2, në Projektin “Rruga Nacionale Prishtinë-Gjilan-Konçul”, me kod 15090, shuma prej 150,000 €,  ndryshohet në shumën 1,850,000€”, thuhet në amandamentin 2 të këtij raporti.

Për dallim nga autostrada Prishtinë- Gjilan- Konçul, Komisioni për Buxhet përmes amandamentit 13 ka zvogëluara buxhetin për ndërtimin e “Autostradës Prishtinë- Hani i Elezit (R6)” nga 180,636,415  euro në shumën 169,636,415 euro.

Janë rikthyer edhe mjetet e planifikuara për sigurimet shëndetësore.

“Në tabelën 3.1, shtohet Nën-programi “Kontigjenca e Sigurimeve Shëndetësore”, me kod 28200, kategoria e pagave dhe mëditjeve dhe shuma prej 11,000,000 euro”, thuhet në amendamentin e miratuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Në raportin e miratuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa po ashtu është bërë edhe rritja e buxhetit për pensionet për Invalidët e Luftës”.

“Në nën-programin “Pensionet për Invalidët e Luftës”, me kod 00300, kategoria  subvencione dhe transfere, në tabelën 3.1, shuma prej 37,850,000 euro, ndryshohet në shumën 38,050,000 euro”, thuhet në amandamentin numër 5 të këtij raporti të siguruar nga KALLXO.com.

Në këtë raport shihet se po ashtu është bërë rikthimi i buxhetit për ndërtimin e Fabrikës për Ujëra të zeza në Pejë në vlerë prej 380 mijë euro, siç ishte përcaktuar në Ligjin për Buxhetin e vitit 2017.

Komisioni për Buxhet dhe Financa po ashtu ka miratuar amandamentin 16 në të cilin parashihet rikthimi i buxhetit për ndërtimin e Objektit të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik.

“Projekti me kodin 15360 – Ndërtimi i Objektit të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik të kthehet siç ka qenë i parashikuar me Ligjin për Buxhetin e vitit 2017 me shumat e parashikuara: për vitin 2017 – 50.000; për vitin 2018 1.000, 000 dhe për vitin 2019 1.300.000 Euro”, thuhet në raportin e siguruar nga KALLXO.com.

Ndryshime pa pësuar edhe amandamenti numër 10 të buxhetit të kryeministrit të Republikës së Kosovës ku kategoria për mallëra dhe shërbime prej 1,214,317 euro është rritur në shumën 1,263,357 euro.

Në organizatën buxhetore “Shpenzimet e Parashikuara” është paraparë zvogëlimi i buxhetit prej 3 milionë e 209 mijë në 2 milion e 870 mijë euro.

E pjesë e ndryshimit të buxhetit në bazë të këtyre amandamenteve është edhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, ministri kjo e re e krijuar nga qeverisja aktuake PDK- AAK dhe AKR.

“Në nën-programin “Administrata Qendrore”, me kod 11322, në tabelën 3.1, numri i punëtorëve prej 3 pozitave, ndryshohet në 8 pozita  Në nën-programin “Zyra e Ministrit”, me kod 11422, në tabelën 3.1, numri i punëtorëve prej 9 pozitave, ndryshohet në 13 pozita”, thuhet në amandamentin 14.

Përkrahja e këtyre amendamenteve të pozitës dhe opozitës i hap rrugë miratimit të rishikimit të buxhetit për vitin 2017 në leximin e dytë.

Në mungesë të përkrahjes së opozitës, Kuvendi i Kosovës ka arritur që të kalojë rishikimin e buxhetit në leximin e parë vetëm pas votimit të dytë, pasi në tentativën e parë kishte marrë vetëm 60 vota. Disa prej pikave që i kishte kritikuar LDK-ja kanë qenë Autostrada për Gjilan dhe çështja e Sigurimeve shëndetësore./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat