Haziri: Më 27 nëntor përfaqësuesit më të lartë të kombit shqiptar do të zbarkojnë në Gjilan

Gjilani

Haziri: Më 27 nëntor përfaqësuesit më të lartë të kombit shqiptar do të zbarkojnë në Gjilan

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 20:48
Lutfi Haziri

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka mbajtur sot takim me strukturat e partisë, si parapërgatitje për garën e balotazhit më 19 nëntor, në të cilin është bërë publik edhe orari i tubimeve dhe takimeve me  qytetarë.

Kryetari aktual dhe kandidati i LDK’së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar strukturat e partisë për mbështetjen e jashtëzakonshme në zgjedhjet e 22 tetorit, ndërkaq ka kërkuar angazhimin e madh për balotazhin.

“Më 22 tetor e keni bërë Gjilanin fitues të madh dhe e rikthyet bastionin e madh të rugovizmit. Ky bastion më nuk mund të thehet. Gjilani dëshmoi se përkrah ideologjinë e Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit e Agim Ramadanit dhe jo ideologjitë tjera”, ka thënë Haziri.

Kryetari Lutfi Haziri pohoi se rritja e LDK dëshmon se Gjilani ka folë fuqishëm më 22 tetor, duke thënë se më 19 nëntor do të shënoj rezultat epokal.

“Bashkë do të vazhdojmë me angazhim maksimal deri më 19 nëntor për ta vulosur fitoren e LDK-së. Kjo meritë iu takon të gjithë juve që jeni këtu. Gjilani e ka veç nji fytyrë dhe shumica kane qenë dhe do të bëhen pjesë e fitores së madhe më 19 nëntor. Ne po kandidojmë me program, me besë e shpresë për qytetarët”, shtoi Luta i Gjilanit.

Haziri pohoi se Gjilani është fuqia e dytë financiare dhe ekonomike në Kosovë.

“Kjo është arritur falë punës së palodhme të qytetarëve të Gjilanit dhe falë punëdhënësve e gurbetçarëve tanë”, tha ai.

Në fund, kreu i Gjilanit dhe kandidati i LDK’së për edhe një mandat qeverisës, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se në këtë qytet do të zbarkojnë përfaqësuesit më të lartë të kombit shqiptar nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova, për të marrë pjesë në inaugurimin e shtatores gjigante të kolosit të kombit, Idriz Seferi.

“27 nëntori i vitit 2017 do të jetë i një rëndësie historike, pas historisë që është shënuar në Vlorë sepse kolosi i Karadakut ka luftuar për bashkimin e trojeve shqiptare”, tha Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat