Kurteshi premton hapjen e 4 çerdheve dhe ndërtimin e dy shkollave

Gjilani

Kurteshi premton hapjen e 4 çerdheve dhe ndërtimin e dy shkollave

Më: 13 nëntor 2017 Në ora: 12:34
Sami Kurteshi

Çerdhe, shujta për fëmijë, kënde të lojërave, kënde të leximit, kabinete në shkolla dhe terrene sportive iu premtoi gjilanasve pretendenti për të marrë udhëheqjen e Komunës së Gjilanit nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Këto Kurteshi i premtoi në ditën e parë të fushatës për raundin e dytë ku mbajti një konferencë për media me ç’rast ka paraqitur planin e tij për rregullimin e infrastrukturës së arsimit në Gjilan.

 Kurteshi premtoi se në mandatin e tij do të ofrojnë shujta falas për të gjithë fëmijët e kësaj komune.

Kurteshi: Prej klasës së parë deri të pestën do të ketë shujta

"Jemi zotuar se të gjithë fëmijëve të komunës së Gjilanit do t’iu ofrojmë prej klasës së parë deri në klasën e pestë shujta që janë modeste, por për moshën dhe fizikun e tyre janë të mjaftueshme për një pjesë të ditës që të mos jenë te uritur. Ato shujta do të përbëhen prej nga një kifle ose mund të jetë diçka e ngjashme, nga një pemë dhe nga një çerek litre qumësht", tha ai.

 Kurteshi tha se këto janë të nevojshme dhe të mjaftueshme për një pjesë të ditës për fëmijët. Me këtë shujtë ai tha se qëllim kanë që asnjë fëmijë të mos ulet në bankat shkollore i uritur.

Kurteshi, premtoi se do të dyfishojë numrin e çerdheve në këtë komunë.

Kurteshi: Do t’i hapim edhe katër çerdhe të reja

"Në synimin e politikës së Vetëvendosjes është rritja e numrit të çerdheve. Ne i kemi dy çerdhe tash funksionale publike, më së paku ne do t’i hapim edhe katër çerdhe të reja, do ta dyfishojmë. Secila prej tyre për 100 fëmijë do të kushtojë diku rreth 200 mijë euro, 200 mijë euro ne mendojmë se do të kushtojë një çerdhe për 100 fëmijë që është tërësisht funksionale dhe i ka të gjithë infrastrukturën që u nevojitet fëmijëve", tha Kurteshi.

Ai tha se nga katër çerdhet që do të ndërtojnë një do të jetë në qytet dhe tri nëpër fshatra të mëdha.

Po ashtu, pretendenti për të parin e Gjilanit, premtoj se do të ndërtojnë 10 terrene sportive në të gjithë komunën e Gjilanit, sidomos në fshatrat e mëdha që i ka kjo komunë. Gjithashtu pjesë e planit qeverisës të Sami Kurteshit për Gjilanin është edhe ndërtimi i dy shkollave, një fillore dhe një të mesme. Sami Kurteshi i Vetëvendosjes në balotazh do të përballet me kandidatin aktual të Gjilanit Lutfi Hazirin e LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat