Presidenti Meta në përurimin e shtatores së Idriz Seferit: Jam i bindur se për heronj të tillë të kombit tonë nuk ka vdekje, por përjetësim!

Gjilani

Presidenti Meta në përurimin e shtatores së Idriz Seferit: Jam i bindur se për heronj të tillë të kombit tonë nuk ka vdekje, por përjetësim!

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 15:26
Presidenti Ilir Meta në përurimin e shtatores së Idriz Seferit

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë, së bashku me Presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, drejtues vendorë dhe personalitete dhe qytetarë të shumtë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, nëceremonitë festive dhe përurimin e shtatores së atdhetarit dhe luftëtarit të shquar për liri, “Heroit të Kosovës” Idriz Seferi, që u zhvilluan në Gjilan në prag të 28 Nëntorit, Festës së Pavarësisë. Me këtë rast historik Presidenti Meta nderoi dhe dekoroi disa figura të shquara atdhetare dhe personalitete të spikatura të Gjilanit.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:

“Të dashur motra dhe vëllezër të Gjilanit, të Kosovës, të Preshevës të Bujanovcit dhe të Medvegjës, jam shumë i lumtur që jam bashkuar me ju sot për të vlerësuar ‘Nderin e Kombit’, Idriz Seferi.

Historia e djeshme dhe sotme e Gjilanit dhe e gjithë Anamoravës, i bën nder jo vetëm historisë së Kosovës, por mbarë kombit shqiptar. Ne jemi vërtetë dy shtete, por jemi një komb shqiptar, i pandarë dhe i bashkuar si asnjëherë tjetër gjithmonë më 28 Nëntor.

Gjilani u shqua në të gjitha luftëra kur bëhej fjalë për lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për të kundërshtuar të gjitha përpjekjet e padrejta kundër shqiptarëve për ndarjen e territoreve të tyre. Fitoret e Gjilanit janë shumë. Është në fakt një popull i tërë, por do të përmendja disa emra që i bëjnë nder mbarë kombit.

Idriz Seferin, por edhe Mulla Idriz Gjilanin dhe Ramiz Cërnicën. Amaneti i Mulla Idriz Gjilanit ishte: “Jemi tri fe, por kemi një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell dhe një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”.

Sot të gjithë ne na ka mbledhur në veçanti Idriz Seferi, ky atdhetar nga më të shquarit, udhëheqës ushtarak e popullor i lëvizjes kombëtare, i cili së bashku me Isa Boletinin, Bajram Currin e shumë patriotë të tjerë u shndërruan në legjenda të kombit. Figura e Idriz Seferit do të lartësohej në betejën e famshme të Kaçanikut, ky emër do të gdhendej një herë e përgjithmonë në kujtesën e mbarë kombit.

Dhe kjo përjetësi nuk mund të këndohej më bukur se sa nga të rinjtë e nga të rejat e Gjilanit. ‘Kaçanik shkëmb e gurë, vritesh, pritesh për flamurë, për flamurin e Skënderit luftojnë djemtë e Idriz Seferit’.

Sot në këtë përvjetor të 105-të të ngritjes së flamurit tonë kombëtar nuk jeni vetëm ju, por është i gjithë kombi ynë. Njëkohësisht janë këtu edhe Kadri Halimi e Metush Krasniqi, Rexhep Mala dhe Nuri Berisha, Kadri Zeka dhe Agim Ramadani e shumë e shumë trima të tjerë të Gjilanit, të Karadakut dhe të Anamoravës.

Sot bashkë me ju është edhe ai që në krye të trimave dhe trimëreshave të Kosovës, çoi deri në fund amanetin e Idriz Seferit dhe të Isa Boletinit. Është Adem Jashari, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dashur motra dhe vëllezër.

Jemi në 105-vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe njëkohësisht të Pavarësisë së Shqipërisë. Jemi të vendosur që historinë ta nderojmë dhe të mbajmë gjallë e në mënyrë të veçantë të nderojmë ata që e shkruan këtë histori me më të shtrenjtën e tyre, me jetën dhe me gjakun e tyre.

Ndaj jam sot këtu në Gjilan si President i Republikës së Shqipërisë për të shprehur mirënjohjen më të madhe në prag të 28 Nëntorit, ditës së ngritjes së flamurit tonë kombëtar, për të gjithë heronjtë, trimat dhe shqiptarët e Kosovës: për Lidhjen e Prizrenit, për Isa Boletinin, për Idriz Seferin dhe për të gjitha ata pa të cilët, flamuri nuk do të mund të ngrihej në Vlorë me Ismail Qemalin dhe njëkohësisht edhe Kosova nuk do të mund të ishte sot shtet i pavarur.

Ndaj duke marrë pjesë në këtë përurim të shtatores së Idriz Sefrit ndaj gëzimin më të madh me ju dhe bindjen më të fortë se për heronj dhe patriotë si Idriz Seferi nuk ka vdekje, ka vetëm përjetësim.

Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar! I përjetshëm dhe lavdi Idriz Seferit dhe të gjithë trimave të Kosovës!”.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat