Betohet Lutfi Haziri si kryetar i Gjilanit

Gjilani

Betohet Lutfi Haziri si kryetar i Gjilanit

Nga: A.M. Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 14:32
Pamje nga ceromonia e betimit te Hazirit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka dhënë sot betimin si kryetar i Komunës së Gjilanit.

Ai ka shkruar në Facebook se “edhe në këtë mandat do të punoj me përkushtim dhe në frymën e barazisë me të gjitha subjektet politike, pa dallim, duke e vendosur interesin e qytetarëve mbi gjithçka tjetër”

Postimi i plotë:

Pas dhënies së betimit në Kuvendin Komunal, edhe njëherë i falënderoj qytetarët për besimin e dhënë që t`i prijë Gjilanit për katër vjet të tjera.

Edhe në këtë mandat do të punoj me përkushtim dhe në frymën e barazisë me të gjitha subjektet politike, pa dallim, duke e vendosur interesin e qytetarëve mbi gjithçka tjetër.

Ne e kemi për detyrë ndaj njerëzve tonë, qytetit tonë dhe shtetit tonë që të punojmë në parimin e barazisë dhe parimin e urtësisë, duke integruar barazinë e partive politike, barazinë e gjinore, barazinë e grup-moshave, barazinë e grupeve sociale, barazinë para ligjit dhe para Zotit.

Parimi i dytë mbi të cilin do të bazohet qeverisja e këtij 4-vjeçari, do të jetë parimi i solidaritetit, që do të thotë solidaritet mes gjeneratave, mes grupeve dhe mes atyre që kanë nevojë më shumë për dorën tonë, për mbështetjen e shtetit tonë.

I ftoj anëtarët e rinj të Kuvendit Komunal që të punojnë bashkë për të zhvilluar qytetin tonë, për të ndërtuar infrastrukturë e nevojshme në qytet e fshat, për një jetë më të mirë dhe për mundësi më të mira zhvillimore për të gjithë qytetarët dhe për të rinjtë në veçanti.

Natyrisht që Zoti na e ka falë këtë pjesë të tokës, e cila njihet edhe si qyteti më juglindor i Republikës tonë, qytet ky i cili ndahet nga vargmalet, por bashkohet nga njerëzit e mirë të Preshevës, Bujanocit, Kumanovës, të Karadakut të Gjilanit dhe Shkupit, të Gollakut e Moravës, që pa dallim asnjëherë, përkundër barrierave, kanë punuar bashkë, kanë rezistuar bashkë, janë kryengritur bashkë dhe kanë ndërtuar paqen bashkë.

Do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë, pa dallim etnie, feje apo partie politike, me gjithë këta përfaqësues të komunave në këtë mikro-regjion europian me 17 komuna, me mbi 100 këshilltarë komunalë, që ta zhvillojmë regjionin tonë, ta zhvillojmë qytetin tonë, për një mundësi më të mirë të integrimeve dhe zhvillimit të përbashkët. ”.

Me këtë rast, i falënderoj edhe institucionet e shtetit, policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin, pasi që ky është trekëndëshi i suksesit në komunën tonë që nënkupton siguri më të madhe për qytetarët, mirëqenie më të madhe, e cila garantohet nga funksionimi i drejtë i ligjit.

Kemi sfida jashtëzakonisht të mëdha për të luftuar çdo lloj krimi, çdo lloj korrupsioni, çdo tendencë korruptive që është kancer dhe sëmundje e shoqërisë tonë.

Zotohem për bashkëpunim dhe transparencë me Kuvendin Komunal, për të luftuar çdo tendencë të tillë dhe çdo anomali në shoqërinë tonë ta largojmë, që të vazhdojmë të jemi shembulli më i mirë i përfaqësimit qytetar dhe përfaqësimit institucional, duke punuar bashkërisht për një Gjilan më të mirë se sa është sot. Luta i Juaj gjithmonë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat