Haziri: Familja Jashari pos që ka shkaktuar kryengritje popullore, ka rezultuar edhe me sukses

Gjilani

Haziri: Familja Jashari pos që ka shkaktuar kryengritje popullore, ka rezultuar edhe me sukses

Më: 5 mars 2018 Në ora: 12:17
Pamje nga mbledhja

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të hënën mbledhje solemne, në nderim të Epopesë së UÇK-së, ku kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se sot shënojmë bashkërisht ditët më të mëdha dhe më të dhimbshme të popullit të Kosovës.

Familja Jashari shënon sot kthesën e madhe të rezistencës politike, rezistencë kjo e cila ka kulmuar me kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës në mbrojtje të pragut të shtëpisë.

Këtë kryengritje politike dhe këtë sakrificë për mbrojtje të pragut të shtëpisë, familja Jashari e ktheu në kryengritje ushtarake dhe mbrojtje popullore, që rezultoi me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si formacion ushtarak, i cili luftoi deri në çlirim.

Këtë sakrificë kolektive të familjes Jashari, këtë kthesë të madhe politike, që rezultoi me kryengritje ushtarake, historia do të dëshmojë dhe do ta zbardhë më vonë se si arriti ta kthejë në solidaritet jehonën botërore në mbrojtje të të drejtave elementare të njeriut dhe të të drejtave politike të shqiptarëve të Kosovës.

Familja Jashari nuk priti askënd, nuk u rreshtua pas qëllimeve politike, por në momentin e parë u ngrit për të luftuar dhe mbrojtur pragun e shtëpisë dhe familjen, me të gjitha mjetet, ka theksuar Haziri më tutje.

“Është rast unik në botë që një sakrificë, pos që ka shkaktuar kryengritje popullore, ka rezultuar edhe me sukses, sepse historia njeh edhe sakrifica në vende të tjera, por që kanë dështuar në realizimin e qëllimit”.

Kjo kryengritje është shpaguar me lirinë e Kosovë, me ditët e bardha që Kosova po i gëzon sot, ndonëse jo në gjithë territorin e saj, jo me liri të plotë, jo me sovranitet të plot dhe jo me demokraci të plotë.

Natyrisht që gjunjëzimi për familjen Jashari, shkon edhe për të gjitha familjet tjera të dëshmorëve, kudo që janë dhe kudo që jetojnë, ka vijuar Haziri, edhe për ato në komunën tonë, të cilat janë pjesë e këtij rreshti të madh të dëshmorëve, heronjve, martirëve dhe njerëzve që janë kryengritur për lirinë e Kosovës, duke respektuar edhe të gjallët, të cilat kanë kontribuar për Kosovën dhe vazhdojnë edhe sot të punojnë për shtet-ndërrim.

“Lavdi e përjetshëm familjes Jashari dhe gjithë familjeve tjera të dëshmorëve”, ka përfunduar Haziri.

Ndërkaq, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka theksuar se historia e marsit, aq sa na sjellë kujtime të trishta, me vete sjellë dhe porosi të mëdha, që të punojmë e të angazhohemi për ndërtimin e shtetit, për promovimi e paqes kudo, duke krijuar kështu një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë.

Një referencë të zgjeruar për epopenë e UÇK-së dhe rëndësinë e saj, e ka paraqitur Naim Musliu, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës në Gjilan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat