Posta nderon Gjilanin me dy pulla postare

Gjilani

Posta nderon Gjilanin me dy pulla postare

Më: 13 prill 2018 Në ora: 15:58
Pulla postare

Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim dy pulla postare të titulluara “Qytetet e Kosovës – Gjilani”.

Këto pulla postare bartin imazhe të qytetit të Gjilanit nga periudha të ndryshme kohore, njëra pamjen nga e kaluara dhe tjetra të sotmen.

Posta e Kosovës ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me Komunën e Gjilanit. Në shenjë falënderimi, kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha i ka dhuruar kryetarit Lutfi Haziri dy pullat postare të gravuara në pllakë bronzi.

“Kryetari Haziri ka mundësuar që shërbimet e Postës së Kosovës të jenë sa më afër gjilanasve. Bashkëpunimi ynë në interes të qytetarëve të kësaj komune do të zgjerohet edhe më tej”, ka thënë Hoxha.

Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës në trevën e Anamoravës. Është njëra prej komunave më të mëdha të Kosovës, me sipërfaqe prej 525 km2 dhe përbëhet nga 63 fshatra.

Rrethinën e Gjilanit e përkufizon lumi Morava e Binçës, i cili mbledh gjithë lumenjtë e vegjël. Ndërkaq, në juglindje rrethohet nga Malet e Karadakut.

Pozita gjeografike, relievi dhe faktorët klimatik, krijuan mundësinë e zhvillimit të një flore dhe faune mjaft të pasur.

Komuna e Gjilanit ka qenë gjithnjë vatër e rezistencës dhe sakrificës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo komunë i ka dhënë Kosovës shumë kuadro profesionale, në të gjitha fushat.

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes pamjeve të pullave postare, do të vazhdojë në promovimin e vlerave dhe bukurive që ka Republika e Kosovës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat