Gjilan, nis implementimi i projektit për përfshirjen e të rinjve në bujqësi

Gjilani

Gjilan, nis implementimi i projektit për përfshirjen e të rinjve në bujqësi

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 17:35
Lutfi Haziri

Komuna e Gjilanit është përfituesja e vetme në Kosovë nga fondet e Komisionit Evropian për përfshirjen e të rinjve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se projekti ka të bëjë me përfshirjen e të rinjve në programin e bujqësisë dhe zhvillimin e saj.

“Vlera e projektit është rreth 500 mijë euro, prej të cilave 20 për qind participon Komuna e Gjilanit. Përfitues do të jenë 52 nëngrante të vogla prej 2500 euro si “start up” në biznese të reja, dhe 10 ndërmarrje bujqësore do të përfitojnë nga 10 mijë euro, ndërsa vlera e veçantë do të jetë edhe për 100 studentë ose persona të posadiplomuar në bujqësi, që do të kryejnë praktikë me pagesë në mënyrë që të jetë një përgatitje më e madhe për tregun në përgjithësi”, tha ai. 

Kreu i Gjilanit ka thënë se edhe sektori privat i Gjilanit është përfitues nga programe të KE-së në biznese, siç është KAB-i, përpunues i produkteve të qumështit, pastaj turizmin malor, “Lura” e “Maja e Zezë”, ndërsa ATRC në përfshirje direkte në monitorim të programeve komunale. 

Ndryshe, programi do ta ndihmojë shkollën e bujqësisë, ndërtimin e Institutit të Bujqësisë në të ardhmen, Drejtorinë e Bujqësisë dhe familjet që dëshirojnë t’i edukojnë, përgatisin dhe investojnë në të rinjtë e tyre për programet e ardhshme të bujqësisë në Komunën e Gjilanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat