Marrëveshje për trajnimin dhe punësimin e të rinjve të Gjilanit

Gjilani

Marrëveshje për trajnimin dhe punësimin e të rinjve të Gjilanit

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 14:29
Nënshkrimi i marrëveshjes

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) sot nënshkroi një marrëveshje të mirëkuptimit me Komunën e Gjilanit për fillimin e implementimit të “Programit për Trajnimin në Punë”, program ky i cili mbështetet financiarisht nga projekti i USAID, EMPOËER Sektori Privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sida.

Programi për Trajnimin në Punë ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve ekonomikisht të përjashtuar dhe aftësimin e tyre profesional. Për këtë arsye, KPK, së bashku me partnerët nga sektori privat, ka filluar implementimin  e këtij Programi, i cili është i strukturuar për zhvillimin e aftësive profesionale tek të rinjtë dhe rritjen e mundësisë së punësimit të tyre.

Sipas kumtesës për media, në komunën e Gjilanit, përfituesit e parë të këtij programi do të jenë të rinj, të cilët do të trajnohen në punë përmes angazhimit direkt në kompani. Në përfundim të trajnimeve, pritet që disa prej përfituesve do të kanë mundësi të punësohen tek kompanitë partnere prodhuese të Klubit. Kandidatët do të përfitojnë nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës.

Kryetari Lutfi Haziri tha se ndihet mirë që të rinjve po u mundësohet që ta provojnë veten në punë praktike në sektorin e prodhimit. “Për ne është kënaqësi që edhe një program i USAID po vije në Gjilan. Unë shpresojë shumë që të rinjtë do të dëshmohen me marrjen e përvojës, aftësive profesionale, marrjen e shkathtësive të reja dhe të mbesin në ato vende të punës, që ky është edhe qëllim i programit”, ka thënë Haziri. 

Komunat tjera përfituese nga ky Program janë edhe Kaçaniku, Vitia dhe Hani i Elezit. Gjatë javëve në vazhdim, Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të njoftojë se kur do të hapen aplikimet për përzgjedhjen e kandidatëve në këto komuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat