Gjilani bëhet me taskë-forcë për pastrimin e mjedisit

Gjilani

Gjilani bëhet me taskë-forcë për pastrimin e mjedisit

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 17:36
Foto nga takimi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka themeluar sot task forcën “Ta pastrojmë Gjilanin”, në kuadër të aksionit të Qeverisë së Kosovës “Ta pastrojmë Kosovën”, që parasheh organizimin e të gjitha institucioneve vendore për pastrimin e ambientit dhe mirëmbajtjen e tij.

Koordinator i task forcës “Ta pastrojmë Gjilanin” është kryetari Haziri, i cili ka bërë thirrje për mobilizim masiv të qytetarëve, ndërsa anëtarë të saj janë udhëheqësit kryesor të resorëve të ndryshëm që nga drejtoritë komunale, ndërmarrjet publike, organizimet e grave dhe rinisë etj.

“Nga 15 shtatori deri më 15 tetor do të jetë aksion i përditshëm pastrimi i Komunës së Gjilanit nëpër të gjitha lagjet, fshatrat, lumenjtë, shkollat dhe gjithë hapësirës në përgjithësi. Naser Korça, nga Shërbimet Publike, Ramiz Ramadani nga Drejtoria e Bujqësisë, Nazim Gagica nga Drejtoria e Arsimi, Senad Rama nga Ekohigjiena, Avdyl Jerliu nga ndërmarrja Tregu, Muhamet Suliqi nga Hidromorava, Genc Mustafa nga sektori i Rinisë, Lindita Salihu përfaqësuese e grave, Muhamet Pajaziti nga zyra e informimit, do të jenë anëtarët që do të vihen në lëvizje për të mobilizuar sa më shumë qytetarë në aktivitetin për pastrim”, ka thënë Haziri.

Në këtë aktivitet përfshihen edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, shoqata të ndryshme që bashkërisht deri në fund të kësaj jave do ta bëjnë incizimin e gjendjes në terren dhe planin operativ për ndërhyrje në kuadër të muajit të pastërtisë.

Ndryshe, gjatë muajit të pastrimit, Deponia Regjionale e Mbeturinave do të pranojë mbeturinat pa pagesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat