Bejta: Punojmë për fitoren e madhe të BDI-së në Gostivar

Gostivari

Bejta: Punojmë për fitoren e madhe të BDI-së në Gostivar

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 08:03
ilustrim

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), dega në Gostivar, njëherit kryetar i Shtabit  Zgjedhor Komunal (SHZK), Nevzat Bejta sonte realizoi mbledhje me anëtarët e shtabit, kryesinë e degës, nëndegëve si dhe funksionarët e kësaj partie.

Në një atmosferë entuziaste, në zyrat e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në Gostivar, kryetari Nevzat Bejta potencoi që nga sonte dhe deri më 11 dhjetor do të angazhohemi bashkërisht për të arritur fitoren e radhës së  Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar.

“Qyteti i Gostivarit duhet të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Demokracia është gjëja më e mirë që i ndodhi shoqërisë sonë. Aty ku ka demokraci, liri dhe  barazi, ka përparim dhe shoqëria ecën përpara. Do të punojmë që në Gostivar të arrijmë fitoren më të madhe që ka pasur deri tani Bashkimi Demokratik për Integrim”, tha kryetari Bejta i cili ftoi anëtarët dhe funksionarët partiak të përqendrohen në vendbanimet e tyre për të punuar për fitoren e BDI-së në Gostivar.

“Bashkimi Demokratik për Integrim qoftë në pushtetin lokal apo në qeverisjen qendrore, ka bërë shumë punë të mira për qytetarët tanë. Ne sot ecim krenarë nëpër rrugët e Gostivarit, unë, bashkëpunëtorët, drejtorët, deputetët, ministrat dhe çdo anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Kemi punuar dhe do të punojmë për të mirën e shoqërisë sonë, prandaj do të kërkojmë votën nga çdo pjesëtar i shoqërisë sonë”, tha Bejta.

Duke folur për partitë opozitare, Bejta tha që: “Ato përmendin shqiptarizimin, por shqiptarizmin e bëmë Ne. Sot, në Gostivar zbatohet dhe flitet gjuha shqip, përdoret flamuri kombëtar pa pengesa, fëmijët tanë mësojnë në gjuhën e tyre amtare dhe institucionet drejtohen nga shqiptarët”.

“Ne Pushtetin Lokal e kemi marrë dhe e kemi shqiptarizuar, tani punojmë me mençuri ta marrim edhe pushtetin qendror”, vazhdoi Bejta, duke shprehur besim se zgjedhjet do të mbahen më 11 Dhjetor.

“Zgjedhjet mund të anulohen vetëm nëse cënohet puna e Prokurorisë Speciale Publike. Kjo nuk është mirë, nëse dikush ka bërë ndonjë vepër kriminale, duhet të përgjigjet para ligjit. Shteti duhet të del nga kriza politike dhe shoqëria të ece përpara”, shtoi Bejta.

Në mbledhje u diskutua edhe për votimin e diasporës shqiptare. Bejta apeloi deri tek struktura partiake të angazhohen për të njoftuar të afërmit e tyre në mërgim për të drejtën e votës që u takon si shtetas të Maqedonisë.

Pasi publikoi agjendën e aktiviteteve partiake në nivel qendror, siç është tubimi i Forumit Rinor në Çair të Shkupit, tubimi i Forumit të Gruas në Tetovë dhe konventa partiake, Bejta ftoi kryetarët e nëndegëve për të filluar me hapjen e shtabeve nëpër të gjitha vendbanimet e degës së Gostivarit. (INA)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat