Kopshte të reja në fshatrat e Gostivarit - Bota Sot
Kopshte të reja në fshatrat e Gostivarit

Gostivari

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Kopshte të reja në fshatrat e Gostivarit

Më: 22 gusht 2017 Në ora: 19:38
Ilustrim

Komuna e Gostivarit dhe zyra e UNICEF-it në Shkup nënshkruan memorandum mirëkuptimi për realizimin e projektit “Themelimi dhe funksionimi i Qendrave për edukim të hershëm të fëmijëve”, me të cilin do të vihen në funksion pesë qendra të tilla.

Marrëveshja parashikon hapjen e Qendrave për edukim të hershëm të fëmijëve pranë shkollave fillore të fshatrave Raven, Forinë, Turçan i madh, Banjicë e epërme dhe Banjicë e poshtme, me çka, këto vendbanime për herë të parë do të kenë kopshte për fëmijët parashkollorë.

Me këtë marrëveshje, Komuna e Gostivarit do të sigurojë hapësirat, rrogat e edukatoreve, shpenzimet rrjedhëse për energjinë elektrike, ujin, ngrohjen, e tjerë. UNICEF-i do të sigurojë mjetet për adaptimin e hapësirave, furnizimin e pajisjeve të nevojshme siç janë mobilimi, mjetet didaktike, lodrat dhe materialet e tjera të nevojshme që do të përdoren për punë me fëmijët e moshës.

Komuna e Gostivarit merr gjithashtu përsipër që qendrat e reja t’i regjistrojë në Institutin Nacional – Kopshti për Fëmijë “Gëzimi Fëmijëror”.

Marrëveshja bazohet në dokumentin e nënshkruar nga shteti i Maqedonisë të Programit Nacional me UNICEF-in për periudhën kohore 2016 – 2020. Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta u shpreh i kënaqur për intensifikimin e mëtejmë të bashkëpunimit me UNICEF-in.

Kujtojmë që brenda katër viteve të kaluara u vunë në funksion edhe tre qendra për edukim të hershëm të fëmijëve, edhe atë, në fshatin Çegran, fshatin Debresh dhe lagjen Tullana, ndërkohë që u hap edhe çerdhja e tretë  me emrin Bleta në qytetin e Gostivarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test