Bejta 1.5 milion denarë për avancimin e kushteve në blegtori

Gostivari

Bejta 1.5 milion denarë për avancimin e kushteve në blegtori

Më: 8 tetor 2017 Në ora: 06:04
Pamje nga takimi

Stimulimi i blegtorisë me fonde komunale në vendbanimet rurale, përmirësimi i infrastrukturës rurale, rikonstruimi i kanalit për ujitjen e fushës në fshatin Bajnicë – Banjeshnicë – Turçan i Vogël dhe Çajlë, ndërtimi i pendës për kanalin e ujitjes në Çegran, si dhe mbështetja e bujqve dhe blegtorëve për shfrytëzimin e beneficioneve nga fondet qeveritare, fondeve IPARD dhe fondeve të tjera, hapja e rrugëve për në stane, do të vazhdojnë të mbetet prioritet për Pushtetin Lokal në Gostivar edhe në mandatin e ri katërvjeçar. 

Mbi këto prioritete, Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe njëherit kandidat në zgjedhjet e 15 tetorit, z. Nevzat Bejta bisedoi me blegtorët e rajonit të Gostivarit. 

“Sonte ishim në fshatin Çajlë dhe bashkëbiseduam me blegtorët e rajonit. Me ne ishte edhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Kullotat e Maqedonisë”, Lulzim Fejzullai. Biseduam hollë e gjatë për preokupimet që kanë bujqit dhe blegtorët në përditshmërinë e tyre. Në dy vitet e kaluara në rajonin e Gostivarit u hapën 22 kilometra rrugë malore me qëllim që të lehtësohet puna e tyre. Ramë dakord që si komunë të ndajmë një buxhet prej 1.5 milion denarë që do të shfrytëzohen për përmirësimin e kushteve për blegtorët. Punët do të zhvillohen në koordinim me  Ndërmarrjen Publike “Kullotat e Maqedonisë”. Në bashkëpunim me Ministrinë e Buqësisë do të punojmë për thithjen e fondeve IPARD të BE-së dhe fondeve të tjera. Po ashtu, me institucionet e tjera të shtetit, do të vazhdon përkrahje administrative në drejtim të marrjes së subvencioneve nga ana e shtetit”, deklaroi Bejta. 

Në vitet në vijim, shtoi ai, do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të hapësirës adekuate brenda qytetit që do të shërben për shitjen e kafshëve. Po ashtu, Bejta paralajmëroi investime nga fusha e Industrisë së mishit me qëllim që të sigurohet plasman më i madh i prodhimeve vendore në tregun e jashtëm. 

Gjatë takimit, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Kullotat e Maqedonisë”, Lulzim Fejzullai prezantoi investimet e ndërmarrjes në rajonin e Gostivarit, si dhe paralajmëroi investime të tjera në vitet në vazhdim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat