“Kryetari i këshillit nuk vjen as në seancat që vetë i konvokon”

Gostivari

“Kryetari i këshillit nuk vjen as në seancat që vetë i konvokon”

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 17:11
Pamje nga konferenca për media

Këshilltarët të cilët në Këshillin e Komunës së Gostivarit nuk paraqesin shumicë, organizuan sot në Press-qendrën e komunës, konferencë për shtyp, me ç’rast gazetarëve, në emër të grupeve të këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa, VMRO-DPMNE-së, TDP-së dhe TMBH-së, iu drejtua këshilltarja komunale Njomza Shaqiri.

Më poshtë ju sjellim në formë integrale fjalën e saj:

“Të nderuar përfaqësues të mediave,

Këtë konferencë për shtyp e organizojmë për të njoftuar opinionin publik, me sa vijon:

Në bazë të konvokimit nga ana e kryetarit të Këshilli, të seancës së Këshillit të Komunës së Gostivarit për më datë 27.12.2017 (pra sot) me fillim në ora 10:00, ndërkaq e iniciuar nga ana e kryetarit të komunës z.Arben Taravari, ne këshilltarët nga radhët e partive Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, VMRO-DPMNE, TDP dhe TMBH, duke pasur parasysh rëndësinë e pikës së rendit të ditës për këtë seancë, siç mund ta shihni iu përgjigjëm thirrjes.

Edhe pse vetë e konvokoi seancën, kryetari i këshillit z.Nasir Musliu nuk e ka respektuar të njëjtën, njëlloj sikurse edhe këshilltarët tjerë nga radhët e BDI-së, LSDM-së, partisë së Vesel Memedit dhe Lidhjes Demokratike të Romëve.

Shkaku asaj se nuk kemi kuorum për të sjellë vendime fuqiplote, seanca e konvokuar për sot nuk mund të mbahet.

Vlen të theksohet se paraprakisht ka pasur marrëveshje midis kryetarit të komunës dhe kryetarit të këshillit për këtë seancë, që të paktën të debatohet për propozim-buxhetin e Komunës së Gostivarit dhe këshilltarët kanë pranuar materialet e nevojshme për seancë, moszbatimi i kësaj marrëveshjeje do të përcillet me një sërë barrierash në funksionimin e Komunës së Gostivarit, mes tjerash: mosrealizim të investimeve të reja, mosrealizim të punësimeve të reja etj.

Komuna e Gostivarit është komuna e vetme ku fitoi vullneti i lirë i qytetarëve dhe votuesit nuk e meritojnë këtë nëpërkëmbje, neglizhencë dhe nënçmim që ia bëjnë struktura të caktuara”. Gazetarëve iu shpërndanë edhe materialet të cilat në afatin e paraparë me ligj u janë dorëzuar këshilltarëve komunalë për seancën e sotme: Rendi i ditës dhe Propozim-buxheti për vitin 2018.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat