Vazhdon avazi i vjetër

Hendboll

Vazhdon avazi i vjetër

Nga: Enis Kastrati Më: 19 tetor 2016 Në ora: 12:20
Enis Kastrati

Debat

Në shtatë javët e para nuk po vërehet ndonjë ndryshim i madh me edicionin e kaluar në elitën e hendbollit të Kosovës. Besa Famiglia nga Peja vazhdon sundimin në konkurrencën e meshkujve dhe nuk e ka problem për të fituar kudo që shkon. Ky dominimi i pejanëve po tregon më së miri se ekipet tjera nuk janë në cilësinë që kemi pritur, por reflektohen shumë dobësi.  Vetëm kur shikon rezultatet atëherë nuk do shumë koment, ka mbetur t’i thuhet elitë, sepse shumë larg fjalës elitë. Vazhdon avazi i vjetër, ku veç tash po dihet se kush do ta thotë fjalën kryesore. Asgjë nuk mund të veçojmë të re, vetëm po shkojmë teposhtë me cilësi, kjo po ndikon edhe në rënien e shikueshmërisë. Pa cilësi nuk ke shikueshmëri, kjo po reflektohet javë pas jave. Cilësia çdo vit po shkon poshtë e më poshtë, kjo është shqetësuese dhe askush nuk e di se ku do të na çojë në të ardhmen. Besa fiton me sa do diferencë, nuk ka ndonjë derbi që mund ta djersit këtë ekip. Kjo nuk është e mirë për hendbollin tonë, sepse po pësojmë të gjithë dhe nuk kemi edhe çfarë të shikojmë. E shohim që Kastrioti i Ferizajt po lëviz, po mundohet ta mbajë hapin me Besën, por me këtë ekip do ta ketë shumë të vështirë, sepse i duhen dhe disa përforcime që të jenë në nivel me ekipin pejan. Trepça nga Mitrovica është organizuar me forcat e saja por larg nivelit të kampionit. Trepçës i duhet shumë përforcime për ta rritur nivelin që e duan dhe që mund ta rikthejnë edhe namin që kishin dikur. Me Trepçën dhe Kastriotin e fortë, edhe liga do të jetë më atraktive, kur ia shtojmë dhe Prishtinën, sigurisht se do ta krijonim një katërshe të fortë në ligë. Besa hëpërhë nuk ndjen presion, nuk ndjen rrezik nga asnjë ekip dhe kur të do fiton me diferencë të madhe. Klubet të tjera janë duke u orvatur se si të ekzistojnë, ndërsa Drita nga Gjilani në këto javë ka treguar lojëra në bazë të mundësive të saja dhe ka tubuar mjaft pikë, por jo e denjë të luftojë për kreun e tabelës. Skuadrat e pjesës së poshtme të tabelës, po mundohen  të organizohen më mirë dhe të gjejnë mjete që mos të janë vazhdimisht në krizë. Mbi të gjitha hendbolli është duke shkuar në një rrugë të pakuptimtë, sepse pa ekipe të forta do të jemi larg asaj që synojmë, rritjes së cilësisë.  Në anën tjetër Besa po pëson mjaft shumë, sepse kur nuk ka ekipe që i bëjnë ballë, edhe ajo bie në nivel, sidomos reflektohet në garat evropiane. Me një fjalë, mbetet të shihet se si do të shkojnë punët deri në fund të kampionatit, por zor që do të kemi ndonjë rritje.

Autori është ish-hendbollist

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat