Mirela: Xhaxhai me tha: Eja nga Norvegjia luaj për Kosovën

Hendboll

Mirela: Xhaxhai me tha: Eja nga Norvegjia luaj për Kosovën

Nga: Kemajl Goca Më: 23 nëntor 2016 Në ora: 16:51
Mirela me xhaxhain e saj, Islamin

Kosova ka shumë talente në sportet e ndryshme dhe që janë një pasuri e madhe. Një numër i konsiderueshëm i hendbollisteve luajnë në shtetet e ndryshme e deri në Skandinavi. Kombëtarja e Kosovës për seniore në hendboll (femrat) do të ketë disa nga lojtaret e talentuara në petkun e saj në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2017, që do të mbahet nga data 1-5 dhjetor në Minski të Bjellorusisë. Janë ftuar disa nga talente të mëdha, si Mirela Gjikokaj nga ekipi norvegjez, Follo J18,  Fitore Aliu nga SG Kappelwindeck në Gjermani dhe Leonora Demaj nga NFH e Danimarkës. Mirela është e ngazëllyer që iu bashkua kombëtares së Kosovës dhe premton se do të jap maksimumin. Ajo ka pak njohuri për hendbollin tonë sidomos fare nuk njihet me hendbollistet që do t’i bashkohet në stërvitje që nisin me 25 nëntor në palestrën e sportit në Gjakovë.  Hendbollistja që luan në pozitën bek i majtë, është e gjatë 178 centimetra dhe nuk ka më shumë se 17 vjet, beson e shpreson se shumë shpejtë do të komponohet në kombëtare. Ajo verën që e lamë pas ka qenë në kampin për të rejat që është organizuar në Gjakovë dhe pak a shumë ka parë nivelin e kësaj loje në vendin tonë. “Xhaxhai im (Islami) ka qenë iniciator që unë të vijë të luaj për Kosovën. Synimi im është për ta ndihmuar Kosovën në garat ndërkombëtare. Besoj se ardhjen në ekip do të përmirësojmë sadopak cilësinë”, tha Mirela për gazetën kombëtare “Bota sot”. Hendbollistja  e talentuar e di se grupi 2 është shumë i fortë, ku garojnë Turqia, Zvicra dhe Bjellorusia. Me 2 dhjetor, Kosova takohet me Zvicrën, ndërsa një ditë më vonë takohen Turqinë dhe me 4 dhjetor me mikpritësen Bjellorusinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat