Kastrioti duhet të dërgojë notë proteste në Sllovaki!

Hendboll

Kastrioti duhet të dërgojë notë proteste në Sllovaki!

Nga: Enis Kastrati Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 14:46
Enis Kastrati

Debate

Tash në arenën ndërkombëtare ka mbetur vetëm një ekip, Shqiponja nga Gjakova në konkurrencën e femrave. Ato janë kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira evropiane respektivisht në Challenge Cup në hendboll.  Këto ende po e ruajnë krenarinë e hendbollit në rrafshin ndërkombëtar, megjithëse tani kanë supersfidën me çeket, Sokol Poruba. Te meshkujt, Kastrioti i Ferizajt, ka qenë përfaqësuesi i fundit dhe u eliminuan nga garat e Challenge Cup. Humbjet apo eliminimi janë  zhgënjyese, por Kastrioti me lojë e rezultat u tregua shumë i fortë ndaj sllovakëve, HKM Sala. Rezultati i sfidës së parë 31:29 dhe ai i të dytës, 29:22 ishin në favor të Sala-s, por mbi të gjitha, u mbajt mirë ekipi ferizajas, kur kihet parasysh edhe me telashet që u ballafaqua para sfidës.

Realisht treguan paraqitje të mirë, me kënaqi loja e tyre sidomos ajo e para. Djemtë me të vërtetë kanë treguar lojë të fortë dhe kanë luajtur me zemër, për çka i përgëzoi. Në ndeshjen e dytë kanë qenë edhe të hendikepuar, pa organizatorin Vlerëson Zherkën që ka qenë mungesë e madhe dhe në anën tjetër, sipas informatave, kanë pasur probleme me akomodimin, ku duhet dërguar një notë proteste tek organizatori në Sllovaki. Faktikisht edhe në Federatën e Hendbollit Evropian, sepse jemi klub nga një shtet i ri dhe u dashtë të na presin gjithnjë sipas rendit dhe si e kërkon rregulli ndërkombëtar.  Mirëpo, përtej këtyre peripecive, përsëri jam i kënaqur me lojën që kanë treguar, se me pak përforcime, me pak lëndime, sigurisht se do të arrinin edhe me tepër. Në fakt, sikur Kastrioti të dyja takimet t’i luante në Ferizaj, gjërat do të ishin shumë më ndryshe.  Ndoshta edhe mund të kualifikoheshin, sepse ndryshe është kur luan në terren tëndin, e ndryshe kur të dyja takimet i luanin në fushë të rivalit dhe kur nuk e ke edhe përkrahjen e shikuesve. Sepse një qytet si Ferizaj, për një klub me traditë siç është Kastrioti, ia ka me borxh që t’ia siguroj një buxhet të qëndrueshëm, që mos të ketë problem në të ardhmen. Ferizaj ka talent, ka djem të ri, që janë të interesuar mu marrë me hendboll, vetëm iu vyen përkrahje e vazhdueshme dhe stimulim financiar. Ndërkaq, në fillim të dhjetorit, kombëtarja e Kosovës për seniore – femrat, do të luajnë në kualifikimet për Kampionatin Botëror, shpresojmë se do të kenë paraqitje të mira.

Përforcimet që bënë me disa talentet nga jashtë, ta shohim se si do të tregohen në fushë, sepse nuk kemi njohuri për çfarë kualiteti bëhet fjalë. Megjithatë, shpresojmë se do të tregojnë nivel dhe do të na sjellin edhe rezultate të mira nga këto kualifikime.

Autori është ish hendbollist i kampionit në fuqi, Besa Famiglia nga Peja

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat