Kosova, gati për Zvicrën, Turqinë dhe Bjellorusinë

Hendboll

Kosova, gati për Zvicrën, Turqinë dhe Bjellorusinë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 29 nëntor 2016 Në ora: 11:01
Kombëtarja e Kosovës

Të premten e kësaj fundjave, kombëtarja e Kosovës (femrat) do të zhvillojë ndeshjen e parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2017, kundër Zvicrës. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Florent Beqiri, shprehet se të gjitha takimet janë të vështira, sepse janë në një grup të fortë.  Kosova është në grupin 2 me Zvicrën, Turqinë dhe Bjellorusinë dhe të gjitha takimet luhen në Minski të Bjellorusisë. Hendbollistet tona nga 25 nëntori po stërviten në palestrën e sportit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë, me synim që të jenë sa më të gatshme për sfida treditore.  Me 3 dhjetor takohen (13.00) me Turqinë dhe një ditë më vonë edhe me Bjellorusinë (14.00). Përzgjedhësi Beqiri tha për gazetën kombëtare “Bota sot” se përgatitjet po shkojnë mirë dhe me bindje se do të lënë përshtypje të mira në kualifikime.

“Përgatitjet shkojnë mirë për këto 5 ditë, po mundohem që kombëtarja e Kosovës të komponohet sa më mirë, si në sulm po ashtu edhe në mbrojtje, për arsye se disa lojtare janë për herë të parë, kështu që duhet të komponohen mirë”, tha Beqiri. Sipas tij forma e secilës lojtare është në ngritje: “Forma e tyre është në ngritje. Çka na duhet më së shumti? Të punojmë në eksplozivitet, tek-tak, në veçanti në sulm edhe në mbrojtje”. A mendoni se me kaq përgatitje jeni gati të ballafaqoni me ekipet si Zvicrën, Turqinë dhe Bjellorusinë?  “Normal se jo. Mirë kishte me qenë po të kishim më shumë ditë në disponim!”, përgjigjet Beqiri. A shpresoni se mund të fitoni pikë? “Të them të drejtën, kemi të bëjmë me tri shtete që kanë cilësi të lartë. Do të mundohemi ta japim atomin e fundit. Të tregojmë angazhim maksimal”, theksoi ai.  Beqiri tha se në sfidën e parë me Zvicrën do të jetë shumë vështirë: “Ka me qenë shumë vështirë për ne, për arsye se kanë kualitet me tepër se ne. Kur e dimë që një Bjellorusi që e ka vendin në elitën e hendbollit të Europës”, tha Beqiri. Të mërkurën (me 30 nëntor) kombëtarja e Kosovës udhëton për në Minski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat