Zvicra dëshmoi kualitetet përballë Kosovës

Hendboll

Zvicra dëshmoi kualitetet përballë Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 18:28

Vetëm minutat e parë ishin në zotërim të kombëtares së Kosovës, kur ishin në epërsi me rezultat 0:2, por jo edhe në vazhdim, pasi që vashat e Zvicrës treguan kualitetin e tyre dhe pa ndonjë problem triumfuan me rezultat bindës 36:21 (16:10), në ndeshjen e parë të grupit 2 të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2017. Kualifikimet po zhvillohen në Minski të Bjellorusisë, ndërsa Kosova është në grup tepër të fortë së bashku me Zvicrën, Bjellorusinë dhe Turqinë. Vashat tona startuan me humbje përballë Zvicrës, por me shpresë se në dy takimet e ardhshme do të luajnë edhe më mirë. Përvoja dhe kualiteti ishin në anën e lojtareve të Zvicrës, të cilat me mbrojtje të fortë e me kundërsulme sa kalonin minutat gjithnjë e më shumë thellonin fitoren.  Nesër, hendbollistet e Kosovës ballafaqohen me Turqinë, ndërsa të dielën me Bjellorusinë. Në fakt, Turqia në hapje pësoi me rezultat 37:23 nga Bjellorusia,  kështu që Zvicra kryeson grupin me 2 pikë, duke lënë pas Bjellorusinë dhe Turqia e Kosovën pa pikë. Në 30 minutat e parë, vashat tona u munduan me forcat e tyre, kur në një moment rezultati ishte 3:3 dhe pas kësaj periudhe zviceranet morën lojën në duart e tyre dhe gradualisht thelluan epërsinë deri në gjashtë gola (16:10) në minutën e 30-të. Në pjesën e dytë, Zvicra ishte shumë më e mirë dhe si pasqyrë e kësaj edhe ngadhënjeu me 15 gola dallim. Hendbollistja Sibylle Scherer ka qenë prej më të mirave, duke realizuar tetë gola për Zvicrën, ndërsa te Kosova Albulena Kelmendi ishte më efikasja me 7 shënime.  Ndërkaq, të shtunën Zvicra do të ballafaqohet me Bjellorusinë, e cila do të jetë një derbi i vërtetë. 

Zvicra-Kosova 36:21

Palestra sportive në Minski.

Gjyqtare: Tetyana Rakytina e Iryna Tkachuk (Ukraina).

Shtatëshet: Zvi. 8 (8), Ko. 7 (5).

Përjashtimet: Zvi 10 minuta – Ko. 10 minuta.

Kartonat e kuq: Haag - Rama (pas tri përjashtimeve nga dy minuta).

Zvicra: Brütsch, Csebits 3, Gjokoviq, Frey, Haag 4, Hodel 1, Ineichen 1, Jordi 1, Kündig 4, Masset 1, Murer, Oezcelik 5, Scherer 8, Weigelt 3, Wyder 5.

Kosova: Nj. Kelmendi, Aliu 3, Bajramaj 1, Basha, Ferataj 1, Gjikokaj, Ibrahimi, Kameri 1, A. Kelmendi 7, Krasniqi, Mehmeti 1, Rama 3, Rudaku, Shehdadi, Stagova 4.

Grupi 2

Zvicra-Kosova 36:21

Turqia-Bjellorusia         23:37

Tabela

1. Zvicra     1       1       0       36:21         2

2. Bjellorusia       1       1       0       37:23         2

3. Turqia    1       0       0       1 23:37      0

4. Kosova   1       0       0       1 21:36      0

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat