Me peripeci të njëjta

Hendboll

Me peripeci të njëjta

Nga: Enis Kastrati Më: 8 mars 2017 Në ora: 11:15
Enis Kastrati

Debate

Nuk ka ndryshime, është ngjashëm sikurse në vjeshtë edhe në stinorin pranveror në elitën e hendbollit në konkurrencën e meshkujve. Është gjendja e njëjtë, e neveritshme edhe për tifozët e këtij sporti, se kanë pritur shumë më shumë dhe një organizim edhe më të mirë në shumicën e skuadrave dhe një investim më të madh.  Nuk ka ndonjë përparim, njëjtë me peripeci dhe problemet e njëjta. Faktikisht nuk ka ndonjë befasi, kryesisht rezultate të pritura, po vazhdon ai dominimi i Besës, kurse ekipet tjera po i ndjekin pozitat tjera.  Kastrioti me një mori telashe e nisi mirë dhe lufton për pozitën më të mirë. Kastrioti është një ekip me traditë dhe nuk e meriton at gjendje që është, por mirë që ka arritur mu komponuar pas largimit te disa hendbollistëve kyç, po ashtu është edhe për të ardhur keq edhe gjendja e keqe e klubeve tjera. Trepça nga Mitrovica ekip që duket mjaft e mirë dhe që pretendon shumë.

Trepça ka arritur me komponuar ekipin, do të thosha kompakt ku edhe pozita e dytë në tabelë e tregon më së miri, mirëpo po të mos ishte Besa do të ishte një kampionat ndoshta me më konkurrencë, mirëpo kjo gjendje më së shumti i shkon për dëmi pikërisht Besës sepse është vështirë të gjendet vullneti për lojë dhe motivimi. Ndërkaq, Prishtina ka hallet e veta dhe po reflektohet në javët e para të pranverës. Duket që pozita më e palakmushme në këto vitet e fundit është kjo e Prishtinës, sepse është pritur të jetë më lartë se në vend të pestë. Shpresojmë që jo vetëm Prishtina por edhe ekipet tjera të gjejnë forcë dhe ndonjë njeri vullnetmirë që të kanë një bazë sadopak të mirë financiare që ta kalojnë një vit të garave si i ka hije e jo te ekzistojnë sot për nesër.  Vëllaznimi nuk po shkon ashtu si pritem, por ndoshta i duhet kohë për komponim.  Vëllaznimi me kapacitet dhe fondin e lojtarëve që ka ajo pozitë është reale në të cilën gjendet.  Drita nga Gjilani mund të jetë një rival i denjë deri në fund. Ata kanë forcë dhe me përvojën e disa hendbollistëve, si për shembull Dukagjin Azizi e të tjerët do të gjenden në katërshen e parë. Fundja, të gjithë po presim se pjesa e dytë e kampionatit do të jetë me rivalitet edhe më të madh në mes skuadrave nga vendi i dytë e deri të i gjashti, sepse Besa veç është e pakapshme dhe që e bënë edhe diferencën.

Autori është ish-hendbollist i kampionit në fuqi Besa Famiglia nga Peja

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat