Prof. Jupa koordinator i akademisë së hendbollit

Hendboll

Prof. Jupa koordinator i akademisë së hendbollit

Më: 26 mars 2017 Në ora: 14:12
Pamje nga takimi

Këto ditë kanë filluar aktivitetet për jetësimin e akademisë së hendbollit në Ferizaj, e cila u themelua në tetor të vitit të kaluar. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, priti udhëheqjen e Federatës së Hendbollit dhe drejtues të akademisë, për të bashkëbiseduar lidhur me rrjedhën e mëtejme të punëve. Me këtë rast u tha se tashmë ka filluar përzgjedhja e fëmijëve dhe e të rinjve që do të përfshihen në stërvitje për t’u bërë hendbollistë.

Koordinatori i akademisë, prof. Ismet Jupa, bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim, në bashkërendim me arsimtarët e kulturës fizike, do të formohen grupet e para të talenteve të hendbollit, me të cilat do të punohet për avancim të mëtejshëm.

 Akademia e hendbollit synon angazhimin e sa më shumë të rinjve për t’u marrë me sportin e hendbollit dhe me zhvillimin psikomotorik të të rinjve, kryesisht të moshave jomadhore.

Ky është një pilot projekt njëvjeçar me mundësi vazhdimi. Sipas marrëveshjes së themelimit, Komuna e Ferizajt e ka për obligim sigurimin e mjediseve të përshtatshme për funksionimin e akademisë, kurse Federata e Hendbollit e Kosovës është përgjegjëse për organizimin e mbarëvajtjes së punës, sipas planit operacional, për angazhimin e ekspertëve të hendbollit dhe për furnizimin e akademisë me rekuizita dhe mjete të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat