Kryesia e klubit të hendbollit Prishtina në konkurrencën e femrave, i kundërpërgjigjet ashpër Istogut për akuzat se kinse në klubin e tyre po vendoska trajneri maqedon, Rubin Kuzmanovski. Si i komentoni akuzat e Istogut se Prishtinën e kanë ndihmuar disa herë sidomos kur ishte nevoja e ndërrimit të termineve. Sipas tyre, ata kanë kërkuar të luhet ndeshja dy ditë më herët shkaku i turneut për Dëshmorët e Lirisë që mbahet në fundjavë në Istog, por ata kanë mbetur të zhgënjyer nga përgjigjja e klubit tuaj? “Nuk është në natyrën e KHF Prishtina, të merret me çmendurin e personave që tentojnë të krijojnë opinione të paqena, në rastin konkret rreth ndeshjes KHF Istogu & KHF Prishtina. KHF Prishtina gjithherë ka qenë, është dhe do të jetë e hapur dhe bashkëpunuese me të gjitha klubet sportive, jo vetëm në hendboll. KHF Prishtina nuk mund t'u përgjigjet kërkesave të cilat nuk përputhen as me kushtet elementare, e themi këtë ngase ditën e enjte (ditë pune dhe shkollë) për të cilën ka kërkuar KHF Istogu, shumica e vajzave të KHF Prishtina (kadetët dhe seniorët) janë nxënëse të shkollave fillore dhe të mesme.
Të gjithë e dimë se dita e dëshmorëve është në një ditë në çdo komune e jo në dy ditë, dhe ne ju kemi thënë se në cilën ditë të doni të shtunën apo të dielën, në cilën ore të doni ne e pranojmë. Vetëm të marrët dhe të mjerët nuk respektojnë ditën e dëshmorëve dhe ditët e lavdisë për Shtetin e Kosovës, prandaj është tejet e ulët të luhet me opinionin në emër të këtyre datave”, përgjigjet kryesia e KHF Prishtina për gazetën kombëtare ‘Bota sot”. Të gjithë e dimë se kryetari i klubit Nebi Zariqi i ka gjërat e prera, por sipas Istogut aty po vendoska trajneri maqedon Kuzmanovski, sa janë të vërteta? “Jo vetëm Zariqi por e tërë Kryesia e klubit i ka gjërat shumë të qarta dhe të prera. Secili në KHF Prishtina i ka përgjegjësitë e veta, në këtë rast edhe trajneri i cili është i ngarkuar vetëm në anën profesionale. Me çka është marrë “trajneri” i KHF Istogu në këtë rast është çështje me të cilën duhet marr Federata e Hendbollit e Kosovës, është çështje kjo që në sportin e Kosovës nuk guxon të ndodhë. “Trajneri” i KHF Istogut merret me shpifje kinse dikush i paska thënë “se për këtë vendos Maqedoni”. Kush është ai që ka mund të flas në emër të KHF Prishtina?”, thuhet nga klubi kampion në fuqi.