Pa prodhim vendorë nuk mund të pretendojmë rritje të nivelit

Hendboll

Pa prodhim vendorë nuk mund të pretendojmë rritje të nivelit

Nga: Lirije Muhaxheri Më: 7 prill 2017 Në ora: 19:14
Lirije Muhaxheri

Debate

Hendbolli ka një të ardhme të ndritur në konkurrencën e femrave. Në shumicën e klubeve punohet me zell të shtuar, ka talente që premtojnë shumë në të ardhmen.  Kastrioti i Ferizajt, Prishtina, Shqiponja e Gjakovës, e disa skuadra tjera, i kushtojnë rëndësi punës me të reja, që nënkupton se do të krijojnë një bazë të mirë për të ardhmen dhe që nuk ka vend për t’u brengosur. Me krijimin e kushteve më të mira në klubet në përgjithësi, do të rritet edhe vëllimi i punës, natyrisht edhe niveli i lojës. Liga e kadeteve është shumë produktive, sepse klubet në vitet e ardhshme do të furnizohen nga ky brumë dhe do të jenë shumica edhe bartëse të lojës. Klubi i Kastriotit është duke punuar me talente për të ardhmen po ashtu edhe Prishtina, Shqiponja që në të ardhmen mundet me pasur një përfaqësuese të mirë në Kosovë.  Kosova ka talente të shumta, me një punë me serioze mund të ndërtojmë një garniturë që do të lakmojnë edhe shtetet e rajonit në vitet vijuese, shihet në çdo segment se gjërat po lëvizin, po ashtu edhe strukturat e Federatës së Hendbollit të Kosovës, po i kushtojnë një kujdes të veçantë të rejave dhe kjo është shumë e mirë e për t’u përshëndetur.  Brezi i ri është edhe një mundësi e mirë për të ngritur nivelin e kësaj loje brenda disa vjetësh, po ashtu edhe në ngritjen e rezultateve në arenën ndërkombëtare. 

Për shembull në Ferizaj, KHF Kastrioti punon me një përkushtim me gjeneratën e re dhe me të gjitha vendore, sepse pa prodhim vendorë nuk mund të pretendojmë edhe rritje të nivelit, se nuk shkon vetëm me prurje nga shtetet e jashtme, kur e kemi brumin dhe talentet që vërtet kanë dimensione për të qenë lojtare të mëdha në një periudhë jo fortë të largët.  Kështu që, puna po bëhet, po ashtu i jepet hapësirë lojtareve vendore që dikur kishin minutazh të paktë, sepse në të kaluarën përveç një Aidë Stagova që ka pasur minuta lojë, të tjerat e kishin ngrohur bankën. Sot situata është ndryshe qind për qind  sepse janë vendore në KHF Kastrioti, por edhe në disa skuadra tjera po ndiqet kjo politikë, dhe po luftojnë për të ndërtuar një garniturë vendore me perspektivë. Në KHF Kastrioti kushte i ka krijuar kryetari i klubit Faton Haxhisalihu. Prandaj, angazhimi, puna gjithsesi edhe disiplina, po ashtu edhe kuadrot e arsimuara që punojnë me të reja japin shpresë për një të ardhme shumë më të mirë. Me ish-hendbolliste, arsimtare e profesoresha, sigurisht se do të jemi në rrugën e duhur dhe në rezultate e duhura që i kërkon opinioni sportiv tash e një kohë. Traditën e kemi, na duhet edhe pak kohë dhe të dëshmojmë se kemi forcë për t’u ballafaquar edhe me ekipet me të forta në shtetet evropiane.

Autorja është profesoreshë e edukatës fizike dhe trajnere e KHF Kastriotit nga Ferizajt

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat