Prishtina -Istogu sikurse finale, Shqiponja favoritë ndaj Kastriotit

Hendboll

Prishtina -Istogu sikurse finale, Shqiponja favoritë ndaj Kastriotit

Nga: Kemajl Goca Më: 9 maj 2017 Në ora: 13:26
Pamje nga një ndeshje

Prishtina futet me misionin që ta mbrojë titullin e kampionit në elitën e hendbollit (femrat). Ato pasi triumfuan në garën për Kupën e Kosovës, tani synojnë edhe kampionatin, ndërsa Istogu pretendon se kësaj radhe do t’i dalë dardhë me bisht Prishtinës. Ndeshja ndërmjet Prishtinës e Istogut, do të zhvillohet nesër në orën 14.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, dy skuadra që ishin takuar edhe në gjysmëfinalen e Kupës, ku prishtinaset me penallti ia dolën të kualifikohen me rezultat 33:32, pasi takimi në kohën e rregullt kishte përfunduar baras (29:29).

Prishtina dhe Istogu synojnë finalen e madhe dhe të dyja ekipet janë optimiste, nga ana tjetër, Shqiponja e Gjakovës ka përparësinë e fushës por edhe cilësinë më të mirë se Kastrioti i Ferizajt, për këtë edhe llogaritët favoritë. Ferizajaset nuk janë pa gjasa, të cilat shpresojnë në befasi.  Gjakovaret kanë lojtare me përvojë dhe mëtojnë të futen në histori nëse stolisen me titullin e kampionit. Ndeshja ndërmjet këtyre rivaleve luhet nesër në palestrën e sportit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë, duke filluar në orën 18.00.  Ajo skuadër që shënon dy fitore ose një fitore e një barazim do të kalojë në finalen e madhe të play-off-it të Superligës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat