Prishtina, gati për zviceranet

Hendboll

Prishtina, gati për zviceranet

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 16:15
KHF Prishtina

Kampionia e Kosovës në hendboll (femrat), Prishtina po zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjeve ndërkombëtare. Në fundjavë, Prishtina përballet me skuadrën Bruehl nga Zvicra, në kuadër të raundit të parë të Kupës së EHF-së (EHF Cup).  Me marrëveshje të klubeve, të dy ndeshjet luhen në Prishtinë, përkatësisht në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë. Ndeshja e parë luhet të shtunën nga ora 17:00, ndërsa e dyta të dielen nga ora 15:00.

Bruehli zviceran në gara evropiane paraqitet rregullisht të paktën prej vitit 1999. Përvojën ndërkombëtare e ka edhe Prishtina, që debutoi në Evropë në edicionin 2007\08. Nisi në Challenge Cup (Kupa Sfiduese), ndërsa më pas kryesisht ka luajtur në Kupën e EHF-së që është niveli i dytë i garave evropiane për klube. Në tetë pjesëmarrje, KHF Prishtina ia ka dalur dy herë të kaloi nga një rreth garash.

Hendbollistet e Prishtinës kanë nisur me kohë përgatitjet për ndeshjet evropiane.

“KHF Prishtina ka nisur përgatitjet më 24 korrik. 18 hendbolliste po ushtrojnë me diciplinë dhe profesionalizëm, çdo ditë, nga dy herë. Përgatitjet i kemi zhvilluar në tri faza. Faza e parë kishte për qëllim që lojtaret të fitojnë bazën për ngarkesat e mëvonshme dhe më shumë ishte rekreative. Faza e dytë ishte me ngarkesë më të madhe. Kemi punuar nga dy herë në ditë, në Gërmi dhe në sallë. Ndërkohë në fazën e tretë kemi punuar në aspektin tekniko-taktik. Marrë për bazë që skuadra është shumë e re, kam përgatitur program të veçantë që lojtarët të mund të përballojnë përgatitjet”, ka thënë trajneri I KHF Prishtinës, Rubin Kuzmanoski.

Sipas tij, nuk ka ndonjë favor për Prishtinën që dy ndeshjet i luan në shtëpi. Ai ka treguar se Prishtina ka në përbërje lojtare shumë të reja. Kuzmanoski ka përfshirë në ekipin senior gjashtë lojtare të grupmoshës së kadeteve.

“Të gjitha janë vajza perfekte. I karakterizon diciplina e madhe,  karakteri, shoqëria shumë e mirë dhe kanë dëshirë të madhe për të punuar në mënyrë profesionale. Këtë vit po e përgatisim ekipin e ri i cili në të ardhmen do të luajë rolin kryesor në kampionat, njëjtë si deri më tani”, ka shtuar Kuzmanoski.

Për ndeshjet e Kupës së EHF-së, Kuzmanoski thotë se zviceranet janë favorite pa asnjë dyshim.

“Ekipi zviceran është solid, në radhët e veta ka gjashtë lojtare ndërkombëtare. Disa prej tyre janë të natyralizuara dhe luajnë rolin kryesor edhe në përfaqësuesen e Zvicrës. Shorti ka vendosur kështu, nuk kemi pasur fat që të kemi përballë ndonjë kundërshtar më të lehtë. Na vjen një ekip gjigant që luan hendboll të shpejtë dhe modern”, vlerëson trajneri i Prishtinës.

Prishtina në përbërje nuk ka ndonjë lojtare të huaj. Ndërkohë Bruehli ka një britanike, një austriake dhe një gjermane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat